
Wayne Rooney te PSG dhe Edinson Cavani te Manchester United, mund të jetë ky shkëmbimi më i bujshëm i kësaj vere, citon Supersport.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat britanike, të cilat nuk i konsiderojnë thjesht si zëra merkatoje, por si një lëvizje të mundshme të kësaj vere.
Ardhja e Luis Van Gaal në krye të “djajve të kuq”, ka vënë sërish në pikëpyetje të ardhmen e sulmuesit anglez në “Old Trafford”.
Trajneri holandez dëshiron të përdorë skemën 3-4-3 te Manchester United, me Van Persie në rolin e sulmuesit kryesor, duke lënë në hije Rooney.
Ky i fundit ka vetëm një shans për të vazhduar karrierën te klubi më i titulluar në Angli, të bindë trajnerin gjatë turneut amerikan se duhet t’i bëjë vend si titulluar në skuadër.
Në të kundërt, Van Gaal duke pasur si “beniamin” të tij holandezin Van Persie nuk do ta kishte shumë problem për ta larguar duke synuar madje një shkëmbim kokë më kokë me Edinson Cavanin.
Uruguaiani gjithashtu nuk është shumë i dashur në Paris, ku skenën kryesore e ka pushtuar Zlatan Ibrahimoviç, dhe drejtuesit parisienë nuk do të mendoheshin dy herë për ta lënë të lirë, nëse United do t’i ofronte pikërisht një shkëmbim të tillë.
Rooney ka qenë një ëndërr e vjetër e francezëve që në momentin kur në “Parc De Prince” mbërritën sheikët.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





