
Tiranë, 20 qershor 2014, NOA.al – Pesë administratorë subjektesh janë nën hetim pasi akuzohet se kanë kryer një skemë mashtruese me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), me një dëm ekonomik rreth 2 milionë euro.
Pas hetimeve nga Njësia Task-Force e Prokurorisë së Tiranës, gjykata vendosi masën arresti për 5 persona, nga të cilët 3 “arrest me burg” dhe 2 në “arrest shtëpie”, të gjithë administratorë subjektesh, të akuzuar për “Fshehje të të ardhurave”; “Mospagim i taksave dhe tatimeve”; “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me TVSH”; “Mashtrimi”; “Fallsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Të akuzuarit janë H.D. arrest me burg, M.Gj, arrest me burg, E.M, arrest me burg, E.L, arrest në shtëpi dhe A.K, arrest në shtëpi. Ndërkohë, nga hetimi janë evidentuar edhe disa persona të tjerë, për të cilët po kryen veprimet e nevojshme për të përcaktuar nëse kanë rol dhe përgjegjësi në këtë skemë mashtruese.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, këta persona kanë krijuar 3 subjekte tregtare fiktive pa asnjë aktivitet. Këto subjekte fiktive, në bashkëpunim me disa subjekte të tjerë, të regjistruar sipas ligjit, kanë kryer një seri transaksionesh fiktive, me qëllim përfitimin e padrejtë nga rimbursimi i TVSH-së.
Nga të dhënat paraprake të hetimit, i cili ka filluar në muajin mars të këtij viti, pas një kallëzimi të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, rezulton se sipas të dhënave të sjella nga organet tatimore dhe të sigurimeve shoqërore, për këto 3 subjekte fiktive, nuk kanë të deklaruar asnjë adresë dytësore për ushtrim aktiviteti, kanë të deklaruar vetëm nga një apo dy punëtore sipas periudhave kohore, për të cilat është bërë deklarimi dhe nuk kanë deklaruar mjete në funksion të ushtrimit të këtij aktiviteti.
Burime nga prokuroria bënë të ditur se këto subjekte të kenë blerë apo importuar artikuj ushqimorë, industrial, etj nga subjekte real, si edhe komisione kartash me parapagim nga subjekte fiktivë.
Po ashtu, rezulton të kenë shitur në subjektet përfitues të kredimtimit të TVSh-së komisione kartash me parapagim, etj duke u përfshirë kështu në një skemë mashtrimi me TVSh-në./k.k/a.s/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





