
Blerja e madhe e Fiorentinës për sezonin e ri mund të konsiderohet padyshim Mario Gomez, citon Supersport.
Pas një viti të parë përgjithësisht në “bokse” për shkak të dëmtimeve të shpeshta, ish-sulmuesi i Bayern-it është gati dhe në formë të mirë për startin e sezonit 2014-2015.
“Ndihem shumë mirë fizikisht dhe jam gjithashtu i kënaqur me fazën përgatitore që jemi duke zhvilluar deri tani.
E kam marrë plotësisht veten nga dëmtimi, për këtë më kanë shërbyer edhe pushimet e gjata por edhe praktikimi i sporteve të ndryshme.
Jam në formë por besoj se në fund të gushtit kur të fillojë kampionati do të jem akoma edhe më mirë.
Dua të luaj sa më shumë te kjo skuadër pasi sezoni im i parë nuk ka qenë shumë pozitiv. Besoj se me grupin që kemi në dispozicion mund të kapim Champion-sin këtë sezon”.
Më pas Gomez foli për shokun e tij skuadrës, kolumbianin Juan Cuadrado, i cili në këtë merkato kërkohet nga disa prej klubeve më të mëdha të Europës.
“Juan zhvilloi një Botëror të madh dhe është një lojtar me cilësi të mëdha. Kur një skuadër si Barcelona të thërret është normale që të mendohesh, megjithatë për ne do të ishte shumë e rëndësishme që Cuadrado të qëndrojë në Firence”.
Në fund një mendim i Gomez shkoi për Botërorin dhe Gjermaninë e tij, që u shpall kampione Bote.
“Jam shumë i lumtur për shokët e mi dhe për atë që ata arritën, normalisht që më vjen keq që nuk isha pjesë e kombëtares në Botëror, megjithatë jam i lumtur për skuadrën.
Jam i sigurt se edhe në të ardhmen Gjermania do të vazhdojë të jetë një ekip shumë i fortë dhe do të fitojë shumë trofe.
Lahm, largimi i tij nga kombëtarja ishte një surprizë shumë e madhe për mua. Ai është një futbollist i shkëlqyer dhe ka qenë një kapiten i madh për ekipin përfaqësues”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





