
Trajneri i Real Madrid, Carlo Ancelotti del kundër politikës që po ndjek shoqëria në merkato, duke kërkuar qëndrimin e argjentinasit Angel Di Maria, të cilin presidenti Perez kërkon ta shesë me çdo kusht, për të siguruar paratë e nevojshme për James Rodriguez, citon Supersport.
Në këndvështrimin e italianit, Di Maria ka rikthyer ekuilibrin në skuadër dhe me largimin e mundshëm të tij, skema 4-3-3 me të cilën arriti në majën e Europës, mund të mos funksionojë më.
Edhe gjatë merkatos së shkuar, Di Maria ishte shumë pranë largimit, por vetoja e Ancelottit bëri që shoqëria ta mbante në skuadër, duke lënë të lirë vetëm Ozil.
Trajneri italian e bindi lojtarin se do të ishte në qendër të projektit të tij dhe ashtu ndodhi, sepse argjentinasi zhvilloi një sezon fantastik, pavarësisht pranisë së Bale në skuadër që fillimisht u mendua se do të bllokonte hapësirat për argjentinasin.
Aktualisht është Di Maria ai që kërkon me më shumë ngulm largimin pasi nuk ndihet i vlerësuar nga shoqëria “Merengues”.
Situata e Di Marias të kujton atë të Robben në vitin 2009, kur holandezi u largua nga Reali për shkak të mosmarrëveshjeve me drejtuesit, por shitja e tij te Bayerni i Mynihut rezultoi një gafë e madhe për skuadrën spanjolle.
Në Madrid, frika më e madhe është përsëritja e një situate të tillë, prandaj çdo lëvizje po mendohet deri në detaje.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





