Transmetuar më 19-07-2014, 18:55

Nëse mjeku portugez do të kishte mbështetur vendimin e zonjës Aveiro, sot nuk do të shijonim magjitë e një prej futbollistëve më spektakolarë të planetit, citon Supersport.

Bëhet fjalë për Cristiano Ronaldon, e ëma e të cilit rrëfen një detaj gati gati shokues nga e shkuara e saj, duke e pranuar se gjatë shtatëzanisë ka menduar abortimin e fëmijës.

Sipas dëshmisë së dhënë nga vetë Dolores, në autobiografinë e titulluar “Mae Coragem” të shkruar nga Paulo Sousa Costa, vendimin për abortim e mori pasi në atë kohë ishte vetëm 32 vjeç, dhe i duhej të kujdesej për tre fëmijët e tjerë që kishin ardhur në jetë.

Por detaji më shokues i kësaj historie është fakti që Dolores zbulon, se gjatë shtatëzanisë nuk e kurseu alkoolin për të abortuar, por kur e pa që asgjë nuk po ndodhte, atëherë vendosi ta çonte atë deri në fund.

Ajo rrëfen gjithashtu se në momentin që Cristiano e mori vesh këtë veprim nuk u shokua aspak.

Në 232 faqet e biografisë që ka dalë në shitje në Portugali, Dolores rrëfen detaje të tjera intime të jetës së djalit të saj, si marrëdhëniet me të atin José Dinis Aveiro, i cili vdiq i alkoolizuar në vitin 2006, apo vendimin për të pasur djalin që tashmë është 3 vjeç, por e ëma e tij nuk njihet ende.

Ajo zbulon se shkoi në Florida për të marrë Cristiano Ronaldo Jr. pasi babai i tij ndodhej në Afrikën e Jugut për Kupën e Botës.

Dolores rrëfen gjithashtu se është vetë Cristiano që do ta ndihmojë për rritjen e djalit, për t’i dhënë të njëjtën dashuri që ajo iu dha motrave dhe vëllezërve të tij.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit