Transmetuar më 19-07-2014, 18:22

Vendimi i FIFA-s, për të shpallur Messin si lojtarin më të mirë të Botërorit, Brazil 2014, krijoi jo pak polemika aq sa dhe në Argjentinë, citon Supersport.

Mario Kempes u shpreh se kapiteni i La Seleccion nuk e meritonte këtë çmim. FIFA sqaroi për herë të parë arsyen e vendimit të saj.

Gerard Hullier, një prej anëtarëve të komisionit vlerësues për këtë trofe, foli për rrjetin amerikan ESPN duke bërë të ditur kriterin që u zbatua në dhënien e këtij çmimi individual.

Sipas Houllier, paraqitja e Messit nuk duhet parë vetëm në finale, ku lojtari ishte pothuajse inekzistent në fushë pas minutës së 60-të, por në total gjatë gjithë kompeticionit.

Houllier, e cilësoi Messin si lojtarin kryesor të Argjentinës dhe udhëheqësin e të tijve në fushë, aq sa e ndihmoi përfaqësuesen të arrinte deri në finale.

Francezi theksoi se Messi shënoi katër gola në fazën e grupeve, dha asist për Di Marian në ndeshjen me Zvicrën në 1/8, gjithashtu mori përsipër ekzekutimin e penalltisë së parë në gjysmëfinalen me Holandën duke u treguar i saktë në goditjen e saj.

Gjithashtu Houllier shtoi se Argjentina ishte një prej skuadrave më kompakate në këtë Botëror, dhe forca e vërtetë e saj ishte grupi, i cili qëndroi i bashkuar si pasojë e punës së mirë që bëri kapiteni në fushë, i cili në këtë rast ishte Messi.

Gjithsesi arsyet e ofruara nga Houllier nuk kanë bindur shumë skeptikët, aq sa dhe Maradona i cilësoi si të pabaza deklaratat e francezit, duke shtuar se Messi është futbollisti më i mirë në Botë, por realisht në Botëror nuk u shfaq si i tillë, dhe se çmimi duhet të ishte fituar ndoshta nga një futbollist gjerman.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit