
UEFA ka ndryshuar rregulloren për kartonat e verdhë në Champions dhe Europa League, duke minimizuar shanset që lojtarët të humbasin finalen pikërisht për shkak të penalizimeve nga gjyqtari, citon Supersport.
Rasti më i fundit ishte mungesa e Xabi Alonsos në festën e madhe madrilene të Lisbonës, ku Reali triumfoi në derbi duke marrë në duar La Deciman e Champions League. Mesfushori i Los Blancos u detyrua ta ndiqte finalen nga jashtë fushe pas ndëshkimit në gjysmëfinale me Bayernin e Mynihut.
Të njëjtin fat e kanë patur edhe Roy Keane dhe Paul Scholes në vitin 1999, ndërsa ndër rastet më të fundit mund të përmenden Ivanovic, Ramires dhe Meireles te Chelsea, si dhe Alaba, Badstuber e Luis Gustavo te Bayerni, të cilët nuk mund të luanin në finalen e sezonit 2011-2012 në Champions.
“Pas rekomandimit nga Komiteti i Kompeticioneve për Klubet, Paneli i Emergjencës në UEFA vendosi që duke nisur prej këtij sezoni, të gjithë kartonat e verdhë nga faza e grupeve të shfuqizohen në përfundim të takimeve çerekfinale”, thuhet në njoftimin zyrtar të qeverisë europiane të futbollit.
Kështu në gjysmëfinalet e Champions dhe Europa League, penalizimet për lojtarët do të nisin nga zero.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





