
Pas trajnerit Antonio Conte, nga Juventusi mund të largohet edhe Arturo Vidal. Edhe pse gjatë prezantimit të trajnerit të ri Massimiliano Allegri, drejtori i përgjithshëm i bardhezinjëve Beppe Marotta bëri me dije se Juventusi do të hedhë poshtë të gjitha ofertat që do të vinë në drejtim të mesfushorit kilian.
Eshtë vetë Vidal me deklaratat nga vendlindja e tij, ai që shton edhe më shumë ankthin në shtëpinë e kampionëve të Italisë.
Vetëm disa ditë pasi deklaroi se Manchester United është një klub i madh dhe çdo futbollisti do ti pëlqente të luante te “djajtë e kuq”, nga Kili ku ndodhet me pushime Vidal dha një tjetër intervistë për mediat, citon Supersport.
Së fundmi, 27-vjeçari deklaroi se ai ende nuk mund të thotë se cikli i tij te Juventusi ka përfunduar, por nëse do të qëndrojë, do të japë më të mirën e tij për skuadrën bardhezi.
Ish lojtari i Bayer Leverkusen ndër të tjera shtoi, se ai edhe pse është me pushime po stërvitet fort, individualisht, për tu rikthyer sa më në formë pas ndërhyrjes kirurgjikale në gju, e cila në një farë mënyre kushtëzoi edhe paraqitjen e tij në Botërorin e Brazilit.
Një sinjal i qartë ky nga ana e Vidal, që përpara se të marrë një vendim për të ardhmen e tij do të bisedojë edhe me trajnerin e ri të torinezëve, Massimiliano Allegrin.
Pas këtyre deklaratave të 27-vjeçarit, Manchester United është duke qëndruar në pritje. Dëshira e trajnerit Louis Van Gaal për të patur në skuadër mesfushorin kilian është shumë e madhe, aq sa drejtuesit e “djajve të kuq” e kanë gati një ofertë që kap shifrën e 45 milionë Eurove për Juventusin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





