Transmetuar më 17-07-2014, 14:45

Tiranë, 17 korrik 2014, NOA.al- Gjatë seancës së sotme parlamentare u miratua projektligji i paraqitur nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit për amendimin e Ligjit nr. 9220 datë 15.04.2004 “Për shërbimin publik të varrimit.

Ky ligj krijon mundësinë për ngritjen e varrezave private dhe atyre fetare gjithashtu plotëson kuadrin ligjor edhe me format alternative të varrimit. Përmes ketij ligji i jepet zgjidhje problematikës së viteve të fundit për mungesën e vendvarrimeve.

MZHUT bën me dije se hartimi i tij erdhi si nevojë për përmirësimin e kapaciteteve planifikuese të ndërtimit të banesave të fundit si dhe ofrimit të shërbimit publik të varrimit me standarde dhe cilësi.

Sqarohet se edhe pas miratimit nga Qeveria të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.152, datë 19.3.2014 “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga rehabilitimi dhe zgjerimi i varrezave publike, Sharrë, dhe Tufinë, në Bashkinë e Tiranës”, deri më sot nuk është marrë asnjë masë për krijimin e hapësirave dhe zgjerimin e varrezave nga Bashkia.

Përmes këtij ligji i jepet zgjidhje dy problemeve kryesore: Krijohet mundësia për ngritjen e varrezave private dhe atyre fetare.

Plotësohet kuadri ligjor edhe me format alternative të varrimit, siç është ai me kremim; nëntokësor; mbitokësor, me ritual fetar ose laik. Këto forma, që njihen dhe praktikohen prej shekujsh në vendet të ndryshme të botës do të parashikohen në legjislacionin tonë.

Ndryshimet që u propozuan:

-Rishikimi dhe përfshirja e koncepteve të reja dhe mënyrave të ndryshme të trajtimit të shërbimit të varrimit siç janë; ngritja dhe trajtimi i varrezave fetare, varrezave monumentale, varrezave historike dhe private;

-Përfshirja e detyrimit dhe garantimin për shërbimin e varrimit për çdo qytetar nga njësitë e qeverisjes vendore përkatëse dhe caktimin e mjediseve të përshtatshme për ceremonitë funebër;

-Trajtimi i llojeve të ndryshëm dhe mënyrave të varrimit si varrim nëntokësor, varrim mbitokësor, me anë të kremimit, me ritual fetar ose laik;

-Koha e prehjes për të gjitha llojet e varrezave dhe afatin e përdorimit të varrit;

-Caktimin në ligj për politikat/planet për zhvillimin e varrezave, në raport me ligjin e planifikimit dhe planin e përgjithshëm vendor si dhe trajtimi i infrastrukturës vendore përkatëse për varrezat.

-Trajtimi i të drejtës së përdorimit të varrit, si dhe procedurat për mbylljen dhe prishjen e varrezave./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit