
Tiranë, 17 korrik 2014, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në një takim analizë për sigurinë publike, e cilësoi situatën të rëndë.
Ai tha se situata aktuale flet për rënie të zbulueshmërisë së krimeve nga Policia e Shtetit.
“Prapa shifrave për vrasjet, aksidentet, vjedhjet me dhunë dhe gjobvëniet, janë tragjedi familjare dhe shoqërore që kanë të bëjnë me frikën, intimidimin, për qetësinë dhe normalitetin dhe jo më pastaj për aspiratën e çdo qytetari për të jetuar në mënyrë të lirshme. Nuk bëhet fjalë për një luks dhe komoditet por për një detyrim të qeverisë për qytetarët. E kundërta po ndodh qytetarët. Janë të rrezikuar nga hovi që ka marrë krimi në vend nën qeverisjen e Ramës dhe Metës. Në këtë rast vlen shprehja “Ia kanë varur ujkut mëlçitë në qafë”, tha Basha.
Sipas tij, pas nxjerrjes në pah të paaftësisë dhe paligjshëmrisë thirret për reflektim të plotë për atë që pritet përpara.
Ai i cilësoi shifrat e krimit dhe sigurisë si dëshpërurese, ndërsa e cilësoi si një tablo të zymtë të kësaj qeverie.
Kreu i opozitës tha se qeveria Rama- Meta ka dështuar në fushën e sigurisë publike, duke shtuar se këtë gjë e tregon, rendi, siguria dhe gjendja alarmante ku ndodhet vendi.
“Eshtë një dështim i bujshëm në raport me premtimin, me saktë me tullumbacen e madhe të Ramës dhe ministrit të tij të Brëndshëm për të “kthyer policinë në detyrë” dhe për të “vendosur rendin brenda treqind ditëve”. Shifrat që u paraqiten këtu, që janë marrë nga raportet dhe buletinet zyrtare të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, janë totalisht e kundërta e asaj që kanë premtuar. Këto shifra justifikohen vetëm po të kishin premtuar largimin e policisë nga detyra dhe prishjen e rendit brënda treqind ditëve. Në fakt këtë kanë bërë”, tha Basha.
Basha tha se opozita do të bëjë gjithcka për të kontribuar në përmirësimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike në vend.
Kreu i PD deklaroi se kriminalizimi i administratës dhe përfshirja e elementëve me të shkuar kriminale deri në sallën e Kuvendit, është një provë që rendi dhe siguria publike nuk mund të ofrohen nga kjo qeveri.
Ai e cilësoi si dështim të trefishtë, së pari me premtimin e bujshëm të Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm për të kthyer policinë në krye të detyrës dhe për të ulur shifrat e krimit.
Si dështim të dytë ai cilësoi pritshmëritë e publikut, duke thënë se qytetarët kanë pritur që qeveria e re të sillte përmirësim në fushën e rendit dhe sigurisë, duke ulur numrin e vjedhjeve, zbulueshmërinë e vrasjeve etj., por kjo gjë s’ka ndodhur.
Ndërsa si dështim të tretë kreu i PD, renditi raportin e treguesve të rendit dhe sigurisë publike në raport me qeverinë e mëparshme. Basha tha se treguesit themelor të rendit publik dhe sigurisë të kësaj qeverie dhe qeverisë së mëparshme tregojnë se votat që kanë marrë nuk kanë shkuar për përparim, por për kthimin mbrapa./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





