
Tiranë, 17 korrik 2014, NOA.al- Partia Demokratike ka akuzuar sërish Kryeministrin Edi Rama si urdhëruesin e goditjes ndaj deputetit Gent Strazimiri.
Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, deklaroi se si sot një javë më parë, Edi Rama urdhëroi goditjen dhe kërcënimin me jetë të deputetit të opozitës Gent Strazimiri, sapo ky i fundit mbaroi fjalën në foltoren e Kuvendit, ku denoncoi përfshirjen e elementëve kriminalë brenda mazhorancës.
Në vijim të fjalës së tij ai tha, “Edi Rama fillimisht angazhoi Xhaçkën, dhe kërkoi emra dhe prova, dhe më pas me xheste e sinjale padrinoje ndërseu strukturën e tij të dhunës të cilët goditën dhe kërcënuan deputetin Strazimiri në korridorin e Parlamentit. Prej një javë tashmë Edi Rama ka edhe emrin e deputetit dhe provat e pakontestueshme të së kaluarës kriminale të Arben Ndokës. Por Edi Rama hesht. Si personi që eliminoi dy gra kandidate nga lista për ti hapur rrugën hyrjes në parlament të Arben Ndokës, Edi Rama hesht edhe për kërcënimin që deputeti i tij i bëri zëdhënëses së Partisë Demokratike.Hesht për këto akte kriminale që do të skuqnin faqe publikut e qytetarëve të tij, cdo kryeministër të botës. Hesht sepse është ai autori i vërtetë i goditjes dhe dhunimit të deputetit të opozitës. Hesht sepse është ai autori i vërtetë i kërcënimit me jetë të përfaqësuesve të opozitës”.
Ai tha se Edi Rama është njeriu që ka orkestruar veshjen e përfaqësuesve të botës së krimit me kostumin parlamentar, duke shtuar se e ka bërë këtë pikërisht që ti përdorë ata për të goditur opozitën dhe fjalën e lirë dhe ju shërben atyre, duke u vënë shtetin në dispozicion.
Bylykbashi deklaroi se në përpjekjen e tyre për të nënshtruar dhe kapur edhe drejtësinë, Edi Rama dhe Ilir Meta kanë vendosur që për fatin e drejtësisë fjalën e fundit ta thonë Arben Ndoka dhe sivëllamët e tij të krimit në Parlament.
Sipas tij, Edi Rama dhe Ilir Meta kanë një mision; për ti shërbyer deri në fund aleancës së krimit me të cilën erdhën në pushtet, duke nënvizuar se po e bëjnë këtë me verbëri dhe shurdhëri të plotë ndaj interesave legjitime të miliona shqiptarëve për shtet ligjor dhe barazi para ligjit duke nëpërkëmbur çdo ditë shpresat e shqiptarëve për mirëqënie dhe integrim./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





