Transmetuar më 16-07-2014, 17:17

Që kur veshi fanellën e Gjermanisë në 2004-ën për herë të parë, Schweinsteiger nuk e kishte provuar ndonjëherë ndjesinë e ngritjes së një trofeu drejt qiellit si triumfator.

Para se të ikte nga Brazili si kampion bote, mesfushori bashkë me skuadrën e tij kishte arritur në tre gjysmëfinale, ndërsa në Euro 2008, gjermanët u mundën minimalisht 1-0 nga Spanja në finale.

Pas kaq vitesh përpjekje, gjithçka ndryshoi në mbrëmjen spektakolare të së dielës, kur pancerat mposhtën 1-0 Argjentinën e Messit, në finalen e Maracana.

Eshtë i lumtur sigurisht, por Schweinsteiger dëshiron të shijojë të tjera suksese me fanellën e kombëtares.

“Pa dyshim që Kupa e Botës na e shton urinë për të fituar të tjerë trofe. Duam të fitojmë sërish në kampionatin e ardhshëm.

Eshtë e rëndësishme që në skuadër kemi lojtarë të rinj dhe me eksperiencë, kështu që në Francë, për Euro 2016, do të shkojmë të vendosur për titullin”.

Pas 4 tentativave të ndryshme ndër vite, asnjë skuadër europiane nuk ia kishte dalë të merrte në duar Kupën e Botës në tokën e Amerikës së Jugut.

Kështu ylli i katërt në fanellën e gjermanëve merr një peshë edhe më të veçantë. Për Schweinsteiger, të gjithë te pancerat duhet të ndihen krenarë sepse në Rio kanë shkruar historinë e futbollit botëror.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit