Transmetuar më 16-07-2014, 16:59

Massimiliano Allegri do të jetë pasuesi i Antonio Contes në stolin e Juventusit. Ish tekniku i Cagliarit dhe Milanit ka gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e shoqërisë torineze për një kontratë 2-vjeçare. Lajmin e zyrtarizoi shoqëria bardhezi, citon Supersport.

Allegri do të përfitojë nga kontrata rreth 2 milionë Euro plus bonuset në sezon për arritjen e objektivave të vendosur nga presidenca.

Vendimi i përbashkët u mor pas një takimi mes ish teknikut kuqezi dhe drejtorit sportiv të Juventusit, Beppe Marotta. Zëvendësi i teknikut toskan do të jetë Marco Landucci, ndërsa trajner i portierëve, Claudio Filippi.

Me emërimin e Allegrit në krye të stolit juventin, ndryshojnë edhe skenarët e merktos. I pari që ka kërkuar të flasë me teknikun e ri është francezi Patrice Evra, që nuk është transferuar ende zyrtarisht në Torino.

Një tjetër nyje që 46-vjeçari duhet të zgjidhë është edhe çështja Pirlo me të cilin ai nuk ka pasur një marrëdhënie të shkëlqyer gjatë periudhës kur drejtonte Milanin.

Massimiliano Allegri e ka nisur karrierën si trajner në vitin 2003 dhe arriti kulmin në 2010-ën, kur u emërua në krye të stolit të Milanit pas një sezoni pozitiv me Cagliarin.

Ai është shpallur një herë kampion Italie me kuqezinjtë, por në Torino ka pak mbështetje pikërisht për shkak të rivalitetit mes dy skuadrave, që kulmoi me polemikat për golin e Sulley Muntarit në sfidën me peshë të madhe për titullin kampion, në vitin 2012.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit