
Tiranë, 16 korrik 2014, NOA.al- Anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, njëherësh gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë, Gjin Gjoni, ka reaguar lidhur me deklaratat e Kryeministrit Edi Rama në emër të tij.
“Përmendja e emrit tim po interpretohet nga ndërkombëtarët si kërcënim dhe sulm për punën e një gjyqtari. Në asnjë vend nuk ka Kryeministër që shantazhon gjyqtarët, sulmi ndaj meje është politik”, u shpreh Gjoni.
Lidhur me kërkesën e Ministrit të Drejtësisë Nasip Naço, për tu shkarkuar nga KLD, kërkesë e cila nuk u pranua, ai tha se KLD vendosi në mënyrë të drejtë.
Sipas tij as ministri dhe as Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Kontrollit të Pasurive nuk paraqitën asnjë provë ndaj tij.
Ai tha se Kryeministri synon uzurpimin e KLD, për interesa klienteliste, ndërsa shtoi se ka humbur sensin e raelitetit.
Gjoni deklaroi gjithashtu se akuzat e ILDKP janë bërë me urdhër të Kryeministrit.
Gjin Gjoni u akuzua nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, për fshehje pasurie, falsifikim dokumentesh dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Dy ditë më parë në raportin e 300 ditëve të qeverisjes, Rama komentoi edhe debatin lidhur me kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për të shkarkuar Gjin Gjinin.
Fjala e Kryeminsitrit Rama:
Si mund t’ia lejojmë ne vetes që të tradhtojmë përpjekjet e të gjithë atyre që sot nuk jetojnë më, – merreni sa larg të doni, në kohë. Po të doni që nga Skënderbeu, vazhdoni me rilindësit, vazhdoni me heronjtë dhe dëshmorët e luftës, vazhdoni me martirët e komunizmit, – të cilët ëndërruan dhe punuan, shkruan me penë ose me gjak një histori të tërë që na bëri ne të gjithëve të ndjehemi europianë dhe të kërkojmë Europën në vitin ’90?! Si mund të tradhtojmë ne të gjitha këto, duke pranuar Gjin Gjonin?! Po e them copë, sepse jam ndjerë dhe ndjehem i tmerruar kur kam përballë zyrtarët më të lartë të vendeve të tjera që e përmendin si emër. Ç’arsye ka një zyrtar i lartë, të dijë emrin Gjin Gjoni, në anglisht?! E, ç’arsye ka një aleancë e tërë, që shtrihet nga Europa në NATO dhe nga NATO në Europë, që të dijë që është një Gjin Gjoni dhe që ta shtrojë këtë problem me të gjithë autoritetet që takon. Unë kam asnjë gjë me këtë person dhe nuk është personale, është fenomenale. Se të ishte personale, do të ishte 1/100 e së keqes. Është fenomenale. E, pastaj, në këtë vend ku ka shumë martirë që ende nuk janë vënë në vendin e tyre, Gjin Gjoni bën martirin, që po e luftojnë për arsye politike. Është fenomenale. E, është vetëm një nga mijëra rastet që ne nuk i shohim ose nuk i dimë, që pastaj na sjellin pasoja vdekjen në rrugë të njerëzve të pafajshëm. Janë 100 raste që Ministri i Brendshëm ia ka listuar Presidentit të Republikës, të cilit i ka kërkuar të veprojë si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si garant i Unitetit Kombëtar, si “Babai i Kombit” përballë gjykatësish që qartësisht kanë shkelur ligjin dhe kanë lëshuar rrugëve kriminelë që pastaj kanë ribërë krimet e mëparshme. Kanë rivrarë njerëz të tjerë. Askush nuk do ta bëjë këtë për ne dhe rezistenca do të jetë shumë e fortë, por ne do ta bëjmë këtë me çdo kusht. Sesioni i ardhshëm do të jetë edhe sesioni kur Qeveria, “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, shumica në Kuvendin e Shqipërisë do të vendosë edhe pjesën e munguar të profilit të vet, duke vazhduar t’i imponohet votës së 23 qershorit për reformën në drejtësi dhe luftën pa kompromis kundër të gjithë të korruptuarve dhe të gjithë atyre që marrin përsipër të bëjnë deklarata në emër të institucioneve, e t’i këndojnë ato nëpër ekrane kundër ministrit të Drejtësisë, kundër Qeverisë, kundër shumicës së zgjedhur nga popullit shqiptar, me një gjuhë që është e denjë vetëm për kohët më të errëta, kur me atë gjuhë kërcënoheshin individët. Por kurrkush në histori nuk guxon të kërcënojë një shumicë të zgjedhur nga populli. Këtu e kam fjalën për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, kuptohet./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





