Transmetuar më 15-07-2014, 21:11

Ka ndërruar jetë shkrimtarja nga Afrika e Jugut, Nadine Gordimer, e cila ka marë çmimin Nobel në Letërsi, në vitin 1991. Ajo ka qenë një nga zërat më të fuqishme kundër aparteidit. Nadine u shua në moshën 90 vjeçare.

Fjalia e saj “një shkrimtar profesionist është një diletant, i cili nuk është ndalur kurrë së shkruari”, njihet nga të gjithë shkrimtarët.

Në një deklaratë për media, familjarët e të ndjerës kanë bërë me dije se shkrimtarja e famshme vdiq e qetë në shtëpinë e saj në Johannesburg, në praninë e fëmijëve Ugo e Orianne, pas një sëmundje të gjatë. Nadine Gordimer ka fituar çmimin Nobel në vitin 1991, i cili sipas jurisë së atëhershme i është dhënë "Në kuadër të përfitimit të madh të njerëzimit, falë shkrimit të saj të paarritshëm dhe epik”.

Gjatë karrierës së saj, Gordimer është deklaruar përherë kundër racizmit, madje është regjistruar edhe në partinë e Mandelës, kur ajo ishte ende një parti e jashtëligjshme. Mes romaneve të saj dallohen “Ditët e gënjeshtrës”, “Një i ftuar nderi”, “Konservatori”, “Breshka”, “Historia e fëmijës tim”, “Tani ose kurrë më” etj./noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit