


Gjirokastër, 15 korrik 2014, NOA.al- Në kuadër të operacionit që po zhvillohet në Lazarat dhe në rrethinat përreth për sekuestrimin e sasive të marijuanës dhe të armëve të zjarrit, gjatë ditës së sotme është zbuluar një sasi armatimi.
Bazuar në hetime rezulton se persona me precedentë kriminal të ndodhur nën presionin e policisë që vijon operacionin në Lazarat, kanë nxjerrë nga fshati Lazarat në tentativë për ti fshehur jashtë territoreve të komunës Lazarat, armë dhe lëndë narkotike.
Mbi bazën e këtyre informacioneve gjatë paradites së sotme, në aksin rrugor Gjirokastër – Tepelenë , efektivët e policisë së Gjirokastrës kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e një arsenali armësh dhe municionesh luftarake dhe konkretisht dy armë zjarri kallashnikov, një pistoletë, 200 fishekë automatiku, 100 fishekë pistolete, gjashtë krehëra fishekësh automatiku dhe shtatë krehëra fishekësh pistolete, të gjithë krehërat të mbushur me fishekë.
Armët ishin futur në thes dhe ishin fshehur poshtë rrugës nacionale në shkurre. Armët janë sekuestruar dhe do të dërgohen në laboratorin kriminalistik në Tiranë për veprime të mëtejshme./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





