Transmetuar më 15-07-2014, 13:44

Tiranë, 15 korrik 2014, NOA.al – Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka bërë sot prezantimin e projekt ligjit për Policinë e Shtetit, në Komisionin e Sigurisë. Ministri Tahiri u shpreh se me këtë ligj synohet depolitizimi i policisë së shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Ka ndodhur që veprat penale nuk janë ndëshkuar pasi shumë institucione kanë konkurruar në një lojë “e ka kush e ka”, që si përfundim nuk e ka askush. Bëhet fjalë për vepra të tilla penale si ndërtime pa leje dhe krime kundër mjedisit, ku qytetarët cenojnë rëndë shoqërinë. Policia do të hedhë bazat për të përqendruar kompetencat e ndjekjes penale edhe për këto vepra penale, që do të thotë se me hyrjen në fuqi të këtij ligji, çdo shkelje e kësaj natyre, do të trajtohen njëlloj si krimet e tjera dhe do të vendosen përpara përgjegjësisë penale, duke qenë se janë vepra penale dhe duhen trajtuar si të tilla”, sqaroi ministri Tahiri.

Ai tha më tej se ligji i ri sanksionon mundësinë për të ndërtuar një strukturë në Policinë e Shtetit, e cila nuk mund të ngjajë me atë që gjetëm.

“Kishte më shumë drejtorë dhe policia ishte shkëputur nga komuniteti, duke u shndërruar në një piramidë kokëposhtë. Me ligjin e ri, Policia e Shtetit do të kthehet në një institucion që do të ketë sytë nga qytetari”, u shpreh Tahiri.

Ministri solli në vëmendje se me këtë ligj synojnë të sjellin një standard të ri në polici, e cila do të ketë në përbërjen e vetë ekspertët më të mirë. “Pa dyshim, kjo duhet shoqëruar me reformim të sistemit të drejtësisë penale, duke nisur që nga Prokuroria, në mënyrë që të mos ngelen hetimet pezull”, deklaroi ministri.

Ai shtoi më tej se ligji i ri parashikon akses në databazat shtetërore dhe private, pasi tashmë Policia e Shtetit vuan për të marrë informacion, duke cenuar në themel kapacitetin e hetimit. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit