Transmetuar më 15-07-2014, 13:01

Tiranë, 14 korrik 2014, NOA.al-Prefektura e Tiranës ka vendosur sot mbylljen e dy tregjeve dhe përkatësisht atë të Ish-Uzinës Dinamo, dhe tregun e rrugës Hamdi Pepa, për shkak të mosplotësimit të kushteve të tregtimit.

Në mbledhjen e realizuar nga task forca, Prefekti i Qarkut, Sadi Vorpsi u shpreh se është vënë re që shitja në dyqane realizohet me mangësi të theksuara në struktura. “Shitja bëhet në ambiente të hapura, ka mungesë të theksuar shoqëruese të produkteve ushqimore, mungesë totale të kushteve higjieno-sanitare”, tha Vorpsi.

Ai solli në vëmendje tregun Hamdi Pepa, ku shumica e objekteve janë kioska shitjeje, të cilat nuk realizojnë kushtet minimale për tregtim të produkteve ushqimore, që sipas Vorpsit, mund të sjellin ndotje dhe epidemi të ndryshme për qytetarët, por edhe paralizojnë segmente kryesore të qarkullimit të transportit publik dhe urgjencave të Kryeqytetit.

“Shumë shpesh në këto tregje lulëzon shkelja e ligjshmërisë fiskale të cilat janë një sfidë e hapur e punës së Institucioneve të administratës shtetërore. Për të gjithë këto parregullsi, e për të vendosur standardet bashkëkohore që meritojmë të gjithë së bashku si përfaqësues të qeverisë vendore e qendrore, por mbi të gjitha si qytetarë të thjeshtë, jam dakord me propozimet tuaja për të dalë sot nga kjo mbledhje me një vendim të përbashkët për mbylljen e këtyre tregjeve”, tha prefekti në fjalën e tij. /a.s/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit