Transmetuar më 14-07-2014, 21:21

Cavtat, Kroaci, 14 korrik 2014, NOA.al – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i pranishëm në Takimin e Kryetarëve të Procesit të Brdo-Brijunit, që po zhvillohet në Kroaci, përshëndeti sot Samitin 100 të Udhëheqësve të Biznesit të Evropës Juglindore. Ai ftoi bizneset e huaja te investojnë në vendin tonë, duke theksuar se Shqipëria ofron mundësi të mëdha.

“Do të doja të shihja këtu edhe kompani që operojnë në Shqipëri. Vendi im, i cili sapo fitoi statusin e vendit kandidat për në BE, ofron mundësi të mëdha, falë burimeve të shumta natyrore, bukurive bregdetare dhe malore, trashëgimisë së pasur kulturore, si dhe ambientit miqësor për investimet e huaja.

Shqipëria ka një popullsi të re, shumë vitale, të aftë t`i ofrojë tregut një fuqi punëtore konkurruese. Falë zbatimit të projektit “brain gain” janë rikthyer ekspertë cilësorë, të cilët e kishin lënë Shqipërinë më parë, duke sjellë me vete edhe kualifikimin dhe eksperiencën në vendet ku kanë jetuar.

Ekonomia shqiptare i rezistoi relativisht mirë krizës ekonomiko-financiare.Pozicioni gjeografik i ka dhënë Shqipërisë statusin e portës hyrëse për rajonin në mënyrë fare natyrale. Projektet madhore, si: Trans Adriatic Pipeline (TAP) dhe Korridori Adriatiko-Jonian janë bërë një domosdoshmëri nga pikëpamja gjeostrategjike, veçanërisht, pas krizës në Ukrainë”- u shpreh Nishani.

Më tej ai theksoi se politika dhe biznesi e masin suksesin e tyre me cilësinë e shërbimit që ofrojnë për qytetarët dhe me faktin se sa produkti i tyre u përgjigjet standardeve e pritshmërive të qytetarëve.

“Realizimi i qëllimit të një biznesi të suksesshëm, fitimi, varet nga aftësitë tuaja sipërmarrëse dhe nga ambienti miqësor që krijojnë politikat e hartuara nga ne politikanët. Nga ky këndvështrim, suksesi juaj është edhe yni.

Vendet tona po punojmë fort për ndërtimin e infrastrukturës ligjore dhe fizike të standardeve evropiane, në nivel kombëtar, rajonal dhe më gjerë, me qëllim që, në përputhje me pritshmëritë tuaja, të lehtësojmë përpjekjet e përbashkëta për krijimin e një tregu të unifikuar dhe konkurrues.

Në këtë linjë, konkluzionet tuaja duhet të udhërrëfejnë agjendën tonë për të marrë pjesën tonë të përgjegjësisë në mbështetje të biznesit”- u shpreh Presidenti Nishani.

Presidenti e vlerësoi kthimin e kësaj nisme në një traditë, si një mundësi konkrete dhe praktike në mbështetje të bashkëpunimit ekonomik dhe të bizneseve në rajon.

"Në të njëjtën kohë, dhe fare pranë, ne, Presidentët e tetë vendeve të Evropës Juglindore, pjesëtare të procesit të Brdo-Brijunit, jemi mbledhur me vizionin dhe vullnetin e përbashkët për të mbështetur politikisht, dhe nëpërmjet projekteve konkrete në infrastrukturë dhe energji, një nivel të ri të bashkëpunimit rajonal dhe bashkëpunimit me Bashkimin Evropian, me synimin e përbashkët, integrimin evropian. Pjesëmarrja e Kancelares Merkel i jep takimit tonë një dimension të veçantë dhe garanton suksesin e tij”, deklaroi Nishani.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit