



Prishtinë, 14 korrik 2014, NOA.al- policia Kufitare e Kosovës ka vënë në pranga 3 persona gjatë ditës së sotme, të cilët akuzohen për veprat penale “kontrabandim me migrantë”, “falsifikim të dokumenteve” dhe “posedim i paautorizuar i armëve dhe municioni”.
Në pranga kanë rënë shtetasit me iniciale B.A., R.D. dhe K.C., të tre me origjinë nga Kosova. Të arrestuarit dyshohen se në bashkëpunim kanë dërguar apo kanë tentuar të dërgojnë shtetasit kosovarë drejt vendeve të Bashkimit Evropian, ku shumë prej tyre janë viktimizuar, qoftë fizikisht qoftë materialisht.
Sipas burimeve bëhet e ditur se përfitimet materiale, përmes rrugëve ilegale apo me dokumente të falsifikuara kanë qenë kolosale.
Policia e Kosovës ka gjetur në banesat e të sipërcituarve dokumente të ndryshme, si: pasaporta, letërnjoftime, certifikata të lindjes, të shtetësisë, forma të ndryshme të aplikimeve për nxjerrjen e dokumenteve (serbe, bullgare, shqiptare) barna të ndryshme që dyshohet se janë të kontrabanduara, një revole, municione të gjuetisë, një thikë etj.
Të gjitha veprimet policore, lidhur me operacionin dhe bastisjen dhe arrestimeve e të dyshuarve është kryer me urdhër të Gjykatës Themelore në Prizren, respektivisht Prokurorisë Speciale. /a.s/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





