
Tiranë, 14 korrik 2014, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një takim me ambasadorët e akredituar në vendin tonë.
Në përfundim të tij, kreu i opozitës bëri me dije se u diskutua për dhunën në Parlament, dhe atë që e quajti tentativën e mazhorancës për ti mbyllur gojën opozitës.
“Futja e krimit në Parlament, tregon për fasadën e qeverisjes oligarkike. Shprehëm vendosmërinë e Partisë Demokratike për të qëndruar fuqishëm në mbrojtje të vlerave të demokracisë, fjalës së lirë dhe transparencës”, u shpreh Basha.
Basha bëri të ditur se “u diskutua për sfidat që parashtrohen përpara demokracisë shqiptare e në veçanti para funksionimit të Parlamentit, pas faktimit të ngritjes së një strukture dhune nga Edi Rama në Kuvend përmes personave të inkriminuar, për të mbyllur gojën e opozitës dhe për të degjeneruar edhe parlamentin, në një fasadë të qeverisjes oligarkike dhe mafioze, siç po degjenerohen dita ditës institucione të tjera të vendit”.
Kreu i opozitës u shpreh më tej se në këtë kuadër u vu theksin edhe tek zhbërja apo përpjekjen për zhbërjen e shtetit ligjor, përmes moszbatimit të vendimit të gjykatave, përmes kapjes së institucioneve të pavarura dhe intimidimin e tyre, përmes përpjekjes për të vënë nën hyqëm politik, dhe jo për të reformuar, drejtësinë e gjyqësorin.
“Kërcënimi ndaj demokracisë, ndaj interesave të qytetarëve shqiptarë, ndaj stabilitetit nuk ka qenë kurrë më i madh dhe i drejtpërdrejtë. Është kërcënimi për të cilin flet në vijimësi edhe partneri ynë i madh Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zyrtarë të tjerë të Bashkimit Europian, kërcënim tek i cili u ndal Sekretari i Shtetit Xhon Kerri kur foli për rrezikun e shndërrimit të demokracive të reja nën presionin e krimit dhe korrupsionit në oligarki, të kapura dhe të operuara në bazë të interesave të kleptokratëve dhe mafias”, tha Basha.
Ai shprehu vendimin dhe vendosmërinë e Partisë Demokratike dhe të opozitës, për të qëndruar fuqishëm në mbrojtje të vlerave të demokracisë, në mbrojtje të fjalës së lirë, në mbrojtje të transparencës dhe për transparencën e plotë të të gjitha lidhjeve të errëta dhe kriminale, të cilat, sipas kreu të opozitës, kanë marrë dhe po marrin peng jo thjesht axhendën e një shumice, por kërkojnë të marrin peng dhe të shndërrojnë Shqipërinë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë në një treg të pakicës mafioze dhe oligarkike.
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





