




Tiranë, 14 korrik 2014, NOA.al- Në kuadër të Programit EXBS, Program i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kontrollin e Eksporteve dhe Sigurinë e Kufijve, nga Ambasada Amerikane i janë dhuruar Policisë së Shtetit një sërë pajisjesh për shërbimet e Policisë Kufitare, në vlerën e mbi 264 mijë dollarëve.
Në ceremoninë e rastit të zhvilluar në ambientet e Policisë së Shtetit ishin të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, Zv/Ambasadori Amerikan në Tiranë, Henry V.Jardine, përfaqësues të Programit EXBS, drejtues të tjerë të lartë të Policisë së Shtetit, si dhe punonjës të strukturave të ndryshme të policisë.
Gjatë fjalës së tij Drejtori e Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, falënderoi Ambasadën Amerikane dhe Programin EXBS, të cilët për një periudhë shumë të gjatë kohore, kanë mbështetur Policinë Shqiptare, e sidomos strukturat e Departamentit të Kufirit e Migracionit me pajisje, me donacione të ndryshme.
Didi nënvizoi faktin se pajisjet e dhuruara sot përbëjnë një donacion të konsiderueshëm, me një vlerë mbi 264 mijë dollarë, që do i japë mbështetje të madhe strukturave të policisë kufitare për kontrollin e kufirit të gjelbër, me qëllim të minimizojnë veprimtarinë kriminale, që lidhet me trafikun e qenieve njerëzore, me trafikun e lëndëve narkotike dhe krimin e organizuar, por gjithashtu strukturave të ruajtjes së kufirit të gjelbër. Këto pajisje dhe pajisjet, që tashmë gjenden në reparte, siç janë pjesa e pajisjeve të ofiçinës, do të shërbejnë edhe për të mirëmbajtur dhe riparuar mjetet detare. Këto pajisje do të shërbejnë gjithashtu për strukturat e ruajtjes së kufirit blu, për repartin Delta, patrullat dhe grupet operacionale, që ruajnë kufirin blu.
Po ashtu Didi vuri në dukje se kjo ndihmë është një mbështetje që edhe strukturat e Policisë Kufitare dhe Departamenti i Kufirit e Migracionit i ka vlerësuar gjatë këtyre viteve dhe ka arritur që me performancën e tij të prezantojë një shërbim më cilësor ndaj qytetarëve, të garantojë kufijtë shtetëror, të minimizojë veprimtari kriminale në kufi, gjë që pati pastaj vlerësimet për lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptar pa viza në Bashkimin e Europian, por ky shërbim i kufijve dhe forcimi i punës së policisë në ruajtjen e kufirit shtetëror, pati një rëndësi të madhe dhe në kuadrin e pranimit të Shqipërisë, si vend kandidat për në Bashkimin Europian.
Ndërkohë Zv/Ambasadori Amerikan në Tiranë, Jardine, duke e cilësuar këtë kontribut si një ndihmë të mëtejshme në forcimin e zbatimit të ligjit në Shqipëri, si dhe shprehur vlerësimet për forcat e policisë dhe oficerët dhe evidentuar rreziqet, që marrin përsipër në vendosjen e zbatimit të ligjit në Shqipëri, përgëzoi dhe një herë Policinë e Shtetit për punën dhe përpjekjet që po bëjnë për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë.
Jardine përgëzoi progresin që Shqipëria ka treguar në zbatimin e ligjit në kufi, si dhe evidentoi punën e deritanishme për sigurimin e kufijve.
Zv.ambasadori amerikan evidentoi faktin se ky donacion është një ndihmë në mbështetje për luftën kundër trafiqeve dhe krimit të organizuar. Po ashtu deklaroi se Ambasada e SHBA-së dhe Programi EXBS janë angazhuar prej shumë vitesh në ndihmën, zhvillimin, forcimin e kapaciteteve në Policinë e Shtetit dhe Policinë Kufitare dhe garantoi mbështetjen e mëtejshme të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe programit EXBS, sa i përket policisë kufitare, me synim forcimin e kapaciteteve në luftën ndaj krimit të organizuar dhe çdo lloj krimi./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





