Transmetuar më 13-07-2014, 18:58

Tiranë, 13 korrik 2014, NOA.al – Partia Demokratike ka bërë të ditur se sot pasdite, deputeti Arben Ndoka kërcënoi me anë të një bisede telefonike zëdhënësen e kësaj partie, LauraVorpsi.

“PD e dënon me forcë aktin e sotëm mafioz të kërcënimit të zëdhënëses zyrtare të Partisë Demokratike, Laura Vorpsi, nga deputeti Arben Ndoka. Ky akt kërcënimi erdhi pas denoncimit me fakte dhe prova të së kaluarës kriminale të Arben Ndokës, i dënuar nga drejtësia italiane me 7 vite burg për shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese dhe për heqje të lirisë së tjetrit”, thuhet në deklaratën zyrtare të PD.

Sipas PD, kërcënimi i sotëm banditesk ndaj zëdhënëses Vorpsi, nga Arben Ndoka është një tjetër provë se në Shqipëri, Edi Rama ka ngritur një infrastrukturë kriminale e mafioze për t’i mbyllur gojën opozitës dhe fjalës së lirë.

“Partia Demokratike e dënon fuqimisht këtë akt banditesk dhe është më e vendosur se kurrë të bëjë transparencë të plotë të lidhjeve kriminale të Edi Ramës dhe përdorimit prej tij të krimit të organizuar për interesa politike”, thuhet në deklaratë.

Në përfundim PD i bën me dije Edi Ramës, opinionit publik kombëtar dhe gjithë faktorit ndërkombëtar se ai, do të mbajë përgjegjësi të drejtpërdrejtë politike, ligjore, personale dhe të gjithanshme për çdo akt kërcënimi dhe dhune ndaj përfaqësuesve të opozitës, të frymëzuar nga ai dhe kodoshët e tij politikë. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit