
Korçë, 13 korrik 2014, NOA.al- Një aksident i rëndë automobilistik i ndodhur në fshatin Panarit të Korçës i ka marrë jetën gazetares Enkelejda Skënderasi.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:45, kur makina me të cilën po udhëtonte gazetarja e News 24 për rajonin e Korçës, ka pësuar aksident. Bashkë me të në automjetin tip Toyota me tagra AA 679 EIM e drejtuar nga shtetasi D.H, ndodheshin edhe 3 operatorë të tjerë.
Policia bën të ditur se makina ka rënë nga një lartësi prej 20 metra. Gazetarja Skënderasi ndodhej në vendin e parë të automjetit dhe ishte e siguruar me rripin e sigurimit.
Gazetari Marin Mema, i cili ka qenë në vendngjarje është shprehur se pas aksidentit një pjesë e gazetarëve dhe operatorët që ndodheshin me të janë munduar t’i japin ndihmën e parë, por ka qenë e pamundur për shkak të plagëve të rënda që Skënderasi kishte pësuar.
Ajo ka humbur jetën në spitalin e qytetit të Korçës. Operatorët, të cilët udhëtonin bashkë me gazetaren kanë marrë plagë të lehta në trup. /a.s/noa.al
Qëndrimi i policisë mbi ngjarjen
Më datë 13.07.2014, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë shtetasi Danjel Dëfrim Hyko, 27 vjeç, banues në fshatin Pretushë, Pogradec. Arrestimi i tij u bë pasi në aksin rrugor Korçë-Vithkuq, në afërsi të fshatit Panarit, duke drejtuar mjetin “Tojota”, me targë K 679 EJM, ka humbur kontrollin, është rrëzuar në një humnerë dhe për pasojë ka gjetur vdekjen shtetasja Enkelejda Skënderi, 29 vjeç, banuese ne Korçë e cila udhëtonte si pasagjere.
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





