Transmetuar më 12-07-2014, 18:56

Tiranë, 12 korrik 2014, NOA.al – Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot Ndihmës Sekretaren e Shtetit të SHBA Victoria Nuland, me të cilën biseduan rreth forcimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe SHBA, ecurisë së reformave në vend dhe mbi zhvillimet në rajon.

Nuland e uroi Kryeparlamentarin për miratimin e statusit të vendit kandidat për në BE duke nënvizuar se SHBA do të qëndrojë edhe më pranë Shqipërisë në drejtim të avancimit të të gjitha reformave të nevojshme për progresin e vendit drejt perspektivës evropiane.

Burime nga Kuvendi bëjnë me dije se Kryetari i Kuvendit ka shprehur bindjen se qytetarët shqiptarë presin që politikbërja e Shqipërisë dhe e rajonit të afrohet me standardet evropiane, dhe në këtë drejtim Kuvendi do të shërbejë si një platformë solide e dialogut politik, transparencës dhe gjithpërfshirjes.

Meta dhe Nuland biseduan gjithashtu mbi forcimin a bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe SHBA, ku Meta vuri në dukje se qeveria po ndërmerr masat e nevojshme për përmirësimin e klimës së investimeve, dhe duke theksuar se Shqipëria mbetet e hapur për rritjen e pranisë së kompanive dhe ekspertizës amerikane në vend e në rajon.

“Shqipëria mbështet dialogun konstruktiv mes palëve në frymën e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, duke mos harruar se çdo hap që hidhet në rajon, duhet t’i shërbejë klimës së mirëkuptimit, bashkëjetesës dhe forcimit të paqes, stabilitetit dhe progresit ekonomik të të gjithë qytetarëve tanë”, është shprehur Kryeparlamentari Meta në bashkëbisedimin e Nulad. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit