
Korçë, 12 korrik 2014, NOA.al – Një sherr i ndodhur në ambientet e burgut të Drenovës ka çuar në gjendje të rëndë për jetën një të paraburgosur.
Të përfshirë në sherr janë i burgosuri Saleo Stojani, 22 vjeç, nga Korça, Enea Kosta, i burgosur dhe Dritan Lushka, i cili mbahej në ambientet e paraburgimit në këtë burg.
Agresorët dhe viktima janë përleshur mes tyre në dhomat e ajrimit, ku ka pasur edhe të burgosur të tjerë. Burimet e agjencisë NOA.al bëjnë me dije se pas debatesh të shumta të zhvilluara mes tyre, gjendja ka degraduar në dhunë.
Stojani dhe Kosta janë sulur drejt Lushkës, duke e goditur atë me grushte, shqelma e duke i përplasur kokën pas murit. Me mbërritjen e policisë, e cila ka mundur të neutralizojë gjendjen, Lushka është dërguar për në spitalin rajonal të Korçës.
Aty ai ka marrë edhe ndihmën e parë, por për shkak të dëmtimeve të shumta dhe serioze, të cilat i rrezikojnë edhe jetën, është dërguar për në spitalin e Tiranës.
22 vjeçari Stojani është dënuar për mbi 300 vjedhje të dokumentuara. Ai njihet si “superhajdut” për shkak të vjedhjeve të kryera që në moshën 10 vjeçare në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Stojani është arrestuar sapo ka mbushur moshën madhore.
Sa i takon Dritan Lushkës, ai mbahej prej disa kohësh në ambientet e paraburgimit në burgun e Drenovës, pasi akuzohej për vrasjen e një efektivi policie në qytetin e Vlorës. Dy të sipërpërmendurit kanë pasur konflikte të vjetra mes tyre.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, por është mbajtur e fshehtë nga autoritetet e burgut dhe më pas është bërë publike për shkak të gjendjes së rëndë tëLushkës, nga organet spitalore. /a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





