
Shkodër, 12 korrik 2014, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha mori pjesë në Kuvendin Zgjedhor të demokratëve në Shkodër.
Në fjalën e mbajtur në këtë takim kryedemokrati u ndal në atë që e quajti kërcënimin që po i bëhet vlerave të demokracisë. Ky alarm nuk përcillet vetëm nga PD, tha Basha, por edhe nga aleatët e Shqipërisë mes të cilëve dhe SHBA.
Lideri i demokratëve solli në vëmendje qëndrimin e Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry në letrën drejtuar senatin ku shprehte shqetësimin për vonesat në emërimin e ambasadorëve në disa vende strategjike mes të cilave dhe në Shqipëri ku vlerat e përbashkëta demokratike janë kërcënuar.
“Dy ditë më parë Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry tha citoj ‘Pa autoritetin e një ambasadori, ne nuk mund të merremi plotësisht me zyrtarët e niveleve më të larta në vendet ku vlerat e përbashkëta demokratike janë kërcënuar’. Kjo është një deklaratë që pason alarmin e tij të disa muajve me parë për rrezikun që i kanoset demokracisë nga instalimi në disa vende i pushtetit oligarkik, pra të një grushti sundimtarësh që nuk pyesin as për ligj dhe as për vlera, siç është rasti i qeverisë Rama-Meta. Duke synuar të zëvendësojnë programet e zhvillimit me shitblerjen e votës, shtetin e së drejtës me sundimin oligarkik, meritokracinë me pazarat e pista, vlerat e krijuara brez pas brezi me interesat e paskrupullta”, tha Basha.
Kryetari i PD-së shprehu vendosmërinë e çdo demokrati dhe të çdo shqiptari për të mbrojtur vlerat e demokracisë të cilat u fituan me sakrifica të mëdha nga shkodranët dhe gjithë shqiptarët.
“Duhet të ngrihemi, duhet të bashkohemi me njëri tjetrin dhe me gjithë shqiptarët që kanë në zemër ëndrrën e demokracisë dhe idealin e lirisë. Nuk duhet ta falim për asnjë çast ëndrrën e madhe të demokracisë, sakrificat dhe gjakun e heronjvë të 14 Janarit dhe 2 Prillit të Shkodrës, sakrificat dhe përpjekjet e këtyre 23 vjetëve. Në këtë betejë, në këtë mision, në ketë udhëtim kemi përkrah fuqinë më të madhe të botës, SHBA, kemi përkrah Bashkimin Europian. Ju demokratët shkodranë dhe demokratët në mbarë vendin po e përmbushni këtë mision sot duke zhvilluar demokracinë dhe zgjedhjet e lira brenda partisë”, u shpreh Basha./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





