


I zgjedhur për të dytin sezon radhazi në 5-shen më të mirë të kampionatit të Kosovës, Gerti Shima mbetet një nga basketbollistët më të spikatur shqiptar të momentit. Qendra i ekipit të Pejës ka vlerësuar nivelin e lartë të profesionalizmit në basketbollin kosovar, duke theksuar se dëshiron të vazhdojë të luajë në Kosovë. Ndërkohë, basketbollisti i Kombëtares kuqezi, ka theksuar se Shqipëria duhet të mësojë nga Kosova dhe Liga Ballkanike.
Gerti Shima është njëri prej eksporteve më të suksesshme të basketbollit shqiptar dhe basketbollisti 2 metra e 4 centimetra i gjatë ka patur dy sezone të suksesshme në Superligën e Kosovës me Pejën, duke fituar titullin, por edhe duke luajtur në Ligën Ballkanike. Duke folur për AlbanianSport.net, qendra e pejanëve ka vlerësuar nivelin e lartë të profesionalizmit në basketbollin kosovar. “Përvoja që kam kaluar në Kosovë me Pejën ishte me të vërtetë e suksesshme për mua dhe skuadrën dhe kjo është vlerësuar edhe nga njohësit e basketbollit atje” – ka deklaruar ai.
“Kjo më jep kënaqësi, për më tepër kur mban parasysh që për të dytin sezon radhazi, unë jam përzgjedhur në 5-shen më të mirë të Superligës së Kosovës në basketboll për meshkuj, – ka vijuar qendra e Pejës. – Kosova ka një nivel tjetër në krahasim me Shqipërinë përsa i përket basketbollit dhe gjithçka atje është mjaft më lart përsa i përket nivelit të profesionalizmit. Lidhur me ofertat për sezonin e ri, Shima theksoi se Peja mbetet zgjedhja e tij e parë.
“Për emra konkretë përsa u përket ofertave, nuk dëshiroj të shprehem, kjo edhe sepse kam një kontratë me ekipin e Pejës dhe e respektoj këtë dhe nuk dua të kem probleme në këtë drejtim, – ka sqaruar ai. – Klubi i Pejës me të vërtetë që ka probleme, por unë do të pres prej tyre deri në momentet e fundit, sepse dy vitet e kaluara atje kanë qenë me të vërtetë të paharrueshme, për të mos thënë që kanë qenë dy sezonet më të mira të karrierës sime.)
Ndërkohë, basketbollisti i Kombëtares kuqezi, ka theksuar se Shqipëria duhet të mësojë nga Kosova dhe Liga Ballkanike. “Liga Ballkanike është një tjetër nivel dhe vetë Kosova është ende në fazën e të mësuarit nga kjo veprimtari rajonale dhe kështu që mund ta imagjinoni vetë se ku është Shqipëria në krahasim me to, – ka theksuar Shima. – Liga Ballkanike është me të vërtetë një veprimtari e re dhe në zhvillim e sipër, por, përderisa ekipet që kanë marrë pjesë në të kanë patur në përbërje lojtarë me përvojë NBA-ja apo Eurolige, kjo flet për vlerat që ka kjo Ligë.”
Ja dhe intervista e tij e plotë:
– Keni mbyllur sezonin e dytë në basketbollin kosovar, ndërsa është viti i 3-të që luani jashtë Shqipërisë. Si do ta vlerësonit përvojën tuaj të dy sezoneve të fundit me ekipin e Pejës?
– Përvoja që kam kaluar në Kosovë me Pejën ishte me të vërtetë e suksesshme për mua dhe skuadrën dhe kjo është vlerësuar edhe nga njohësit e basketbollit atje. Kjo më jep kënaqësi, për më tepër kur mban parasysh që për të dytin sezon radhazi, unë jam përzgjedhur në 5-shen më të mirë të Superligës së Kosovës në basketboll për meshkuj. Kosova ka një nivel tjetër në krahasim me Shqipërinë përsa i përket basketbollit dhe gjithçka atje është mjaft më lart përsa i përket nivelit të profesionalizmit. Prandaj besoj që do të vazhdoj të jem në basketbollin e Kosovës. Unë dëshiroj të vazhdoj kontratën me Pejën, por kjo skuadër ka patur probleme sezonin e shkuar dhe unë po pres sesi do të shkojnë gjërat në klub. Jam duke parë edhe ofertat e tjera, që në fakt nuk mungojnë, por zgjedhja ime e parë mbetet Peja. Por siç thashë, do të shohim se çfarë do të bëjë Peja dhe pastaj unë do të vendos çfarë do të bëj.
– A ka emra konkretë përsa i përket ofertave dhe po flasim për klube të tjera në Kosovë apo jashtë saj?
– Natyrisht që Kosova është zgjedhja e parë për shumë arsye, por unë po i mbaj të hapura të gjitha mundësitë dhe, natyrisht, nëse do të konkretizohet ndonjë ofertë e mirë nga ndonjë vend tjetër, unë nuk do t’i them jo. Për emra konkretë përsa u përket ofertave, nuk dëshiroj të shprehem, kjo edhe sepse kam një kontratë me ekipin e Pejës dhe e respektoj këtë dhe nuk dua të kem probleme në këtë drejtim. Klubi i Pejës me të vërtetë që ka probleme, por unë do të pres prej tyre deri në momentet e fundit, sepse dy vitet e kaluara atje kanë qenë me të vërtetë të paharrueshme, për të mos thënë që kanë qenë dy sezonet më të mira të karrierës sime. Jemi shpallur kampionë të Kosovës, këtë vit morëm pjesë në Ligën Ballkanike, ku bëmë një paraqitje të mirë, për më tepër në atë që ishte debutimi i basketbollit kosovar në arenën ndërkombëtare. Do të pres deri në momentin e fundit, pastaj do të vlerësoj ofertat e tjera që kam.
– Duke qenë se përmendët Ligën Ballkanike, Shqipëria do të marrë pjesë në të në sezonin e ri, me kampionen e vendit, Vllazninë. Duke qenë se keni luajtur në Kosovë, por edhe në Ligën Ballkanike, çfarë mendoni ju se mund të mësojë basketbolli shqiptar nga Kosova dhe nga Liga Ballkanike?
– Më vjen keq ta them, por fillimisht, basketbolli shqiptar duhet të mësojë nga basketbolli kosovar dhe më pas edhe nga Liga Ballkanike. Sesi mund të arrihet një gjë e tillë, këtë e dinë ata që drejtojnë basketbollin shqiptar. Unë them vetëm që mjafton të vish në Kosovë dhe të shikosh një ndeshje më Superligën e basketbollit, dhe po flas për një ndeshje skuadrash me diferencëm për shembull, vendi i parë me të 4-tin apo më poshtë, dhe do të kuptosh diferencën midis basketbollit kosovar dhe atij shqiptar. Liga Ballkanike është një tjetër nivel dhe vetë Kosova është ende në fazën e të mësuarit nga kjo veprimtari rajonale dhe kështu që mund ta imagjinoni vetë se ku është Shqipëria në krahasim me to. Liga Ballkanike është me të vërtetë një veprimtari e re dhe në zhvillim e sipër, por, përderisa ekipet që kanë marrë pjesë në të kanë patur në përbërje lojtarë me përvojë NBA-ja apo Eurolige, kjo flet për vlerat që ka kjo Ligë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





