
Durrës, 11 korrik 2014, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha mori pjesë në Kuvendin Zgjedhor të demokratëve të Durrësit.
Në fjalën e tij Basha tha se dhuna dhe krimi kanë pushtuar shtetin. Duke u ndalur në incidentin ku u përfshi deputeti demokrat Gent Strazimiri një ditë më parë në parlament, Basha tha se ky është agresion që i bëhet fjalës së lirë, që i bëhet interesave të shqiptarëve. Parlamenti, tha Basha, është kthyer në strehë të krimit, ashtu si edhe nivele të larta të administratës.
“Dhuna dhe krimi kanë pushtuar sheshet dhe politikën. 300 ditë më parë filloi e keqja me rrënimin e policisë, vazhdoi me rrënimin e ekonomisë, vazhdoi me rrënimin dhe kapjen e institucioneve, me narkotrafikun, me dhunën dhe vulgaritetin kryeministror, me vrasjet mafioze dhe eleminimet e elitës sipërmarrëse. E keqja nuk po ndalet. 300 ditëshi i dytë filloi me agresionin e krimit politik ndaj opozitës në parlament, agresionin ndaj fjalës së lirë, agresionin ndaj interesave të shqiptarëve. Prisni se nuk keni parë asgjë, paralajmeronte i marri nga foltorja e Kuvendit sepse e dinte destinacionin, e njihte mirë patologjinë e tij, urrejtjes e mllefit ndaj kundërshtarit”, u shpreh Basha
Sipas tij, Partia Demokratike ka dëshmuar në këto 24 vite se ia ka dalë të triumfojë ndaj të keqes, duke shprehur bindjen se dhe këtë herë do të arrijë ta ndalë kërcënimin që po i bëhet të tashmes dhe të ardhmes së vendit nga rilindja e së keqes.
Kryedemokrati u bëri një apel nga Durrësi të gjithë shqiptarëve që të ngrihen për ta ndalur të keqen para se ajo të triumfojë.
“Nga realiteti europian që kishim ndërtuar dhe donim të përparonim, tani duan ta përballin Shqipërinë me realitet oriental sirian. Tani është koha të reagojmë. Tani është koha t’i themi ndal së keqes dhe të çohemi të gjithë për ta ndalur atë para se e keqja të triumfojë. I përkasim qytetërimit europian që nuk mund të përfaqësohet para botës me këtë pakicë mendjesh të sëmura mesjetare. Nuk duhet të lejojmë të keqen të pushtojë të tashmen, të pushtojë të ardhmen, të pushtojë vendin e fëmijëve tanë. Misioni ynë dhe i çdo atdhetari është t’u kthejmë shqiptarëve normalitetin”, tha Basha./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





