Transmetuar më 11-07-2014, 12:35

Izraeli po vazhdon për të katërtën ditë me radhë ofensivën në Gaza.

Ushtria izraelite po godet enklavën palestineze nga ajri dhe deti, derisa militantët e Hamasit po hedhin raketa në shtetin hebre.

Pesë palestinezë janë vrarë sot nga një sulm në qytetin Rafah.

Deri tani, së paku 82 palestinezë, shumica e tyre civilë të pafajshëm, janë vrarë në ofensivë.

Raportohet se nga një sulm me raketa nga Hamasi në drejtim të Izraelit sot në mëngjes herët janë plagosur edhe 3 persona në Ashdod. Numri total i të plagosurve ka shkuar mbi 600 vetë.

Udhëheqësit izraelitë nuk e kanë përjashtuar mundësinë që të hyjnë në Gaza me trupa tokësore, duke mobilizuar rreth 40,000 rezervistë të ushtrisë.

Sakaq, Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas deklaroi se ka informacione se Izraeli po planifikon së shpejti një ndërhyrje nga toka në Rripin e Gazës.

Për këtë operacion, siç pretendohet, kundër militantëve të Hamasit do të angazhohen të paktën 20 mijë trupa.

Presidenti Obama ka ofruar ndërmjetësimin amerikan për arritjen e një armëpushimi mes palëve, pas bisedës telefonike që zhvilloi me kryeministri Netanjahu.

Mediat e huaja thonë se forcat izraelite kanë qëlluar në total prej të martës ndaj 820 objektivave në Rripin e Gazës, ndërsa militantët e Hamas kanë lëshuar rreth 500 raketa tokë-tokë me rreze të shkurtër veprimi.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit