
Parlamenti miratoi sot me 74 vota ndryshimet në ligjin “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”. Masat e reja synojnë rritjen e masës së gjobës për pronarët e lokaleve dhe administratorët e tyre që nuk respektojnë ligjin. Risi në ligj përbën fakti se për herë të parë do të ndëshkohen me gjobë në masën pesë mijë lekë dhe klientët që konsumojnë duhan në ambiente të mbyllura.
Para se të kalonte në seancë plenare ku mori vetëm një pjesë të votave të mazhorancës, ky ndryshim në ligj u shqyrtua te Komisioni Parlamentar për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë.
Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj prezantoi ndryshimet ligjore lidhur me rritjen e masës së gjobës për pronarët e lokaleve dhe administratorët e tyre që nuk respektojnë ligjin.
“Është një ligj, i cili nuk ka arritur që të zbatohet në mënyrë të plotë dhe efektive në gjithë këto vite. Thelbi i ndryshimeve që propozohen kanë të bëjnë me rritjen e forcës inspektuese për zbatimin e tij, rritjen masave ndëshkuese në rastin e kundërvajtjeve, si dhe përmirësimin e komunikimit dhe të informimit publik për të ndërgjegjësuar dëmet që vijnë nga duhanpirja dhe për të parandaluar apo denoncuar në mënyrë më publike rastet e kundërvajtjeve”, tha z. Beqaj.
Deputeti i LSI-së Petrit Vasili, u shpreh skeptik në zbatimin e ligjit për herë të tretë pasi sipas tij nuk kanë ndryshuar mekanizmat e vjeljes së gjobës. Ai shtoi se përfshirja e të gjithë inspektorateve zbeh përgjegjësitë e gjithsecilës.
Deputeti Vangjel Tavo kërkoi që të ardhurat nga gjobat të mos shkojnë për buxhetin e shtetit, por të kenë destinacion shëndetësinë.
Deputeti i PD-së, Bedri Mihaj, kërkoi që në projektligj të kërkohen vende të përcaktuara për duhanpirësit. Ndryshimi në ligj, sanksionon se “të ardhurat nga gjobat e vendosura, sipas këtij neni, derdhen 100 për qind në buxhetin e shtetit”. /a.b/noa.al/
Ligji i ri
Relacion
Raporti i Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik
Raporti i Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





