Transmetuar më 10-07-2014, 18:13

Pukë, 10 korrik 2014, NOA.al- Gjykata e Pukës ka dhënë vendimin me burg përjetë për dy vëllezër, të akuzuar për vrasjen e ndodhur në fshatin Qelëz të Pukës më 29 qershor të vitit 2012.

Vëllezërit Anton dhe Sokol Permarkaj u dënuan me burg përjetë, ndërsa vëllai i tyre Bardhok Permarkaj u dënua me 24 vjet burg. Me 22 vjet burg u dënua edhe djali i xhaxhait të tyre, Fran Permarkaj.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, Anton Permarkaj, Sokol Permarkaj, Bardhok Permakaj (vëllezër) dhe Fran Permakaj (djali i xhaxhait të tyre), u zunë pritë dhe qëlluan me armë zjarri në drejtim të anëtarëve të familjes Markaj.

Nga goditjet e të sipërpëmendurve mbetën të vdekur Paulin dhe Hilë Markaj, si edhe të plagosur Tone Markaj, Angjelina Markaj dhe Alfons Markaj.

Në vendngjarje kanë qenë edhe tre anëtarë të tjerë të familjes Markaj, të cilët nuk kanë pësuar dëmtime.

 Pak ditë më parë në konkluzionet e saj në përfundim të hetimit, Prokuroria e Pukës kërkoi nga gjykata, dënimin e Anton Permakaj, me burgim të përjetshëm, e Sokol Permakaj, me burgim të përjetshëm, e Bardhok Permakaj me 25 vjet burg dhe e Fran Permakaj, me 23 vjet burg.

Konflikti ndërmjet familjeve Permarkaj dhe Markaj kishte nisur disa kohë më parë se të ndodhte ngjarja kriminale, për shkak të një toke që i ishte lënë në përdorim familjes së të pandehurve./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit