Transmetuar më 10-07-2014, 14:51

Kotorr, 10 korrik 2014, NOA.al- Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, mori pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë me Komisionerin për Zgjerimin,  Stefan Fyle, dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit, Goran Svilanoviç.

Takimi i cili po zhvillohet në Kotorr të Malit të Zi, është në vijim të takimeve të mëparshme të zhvilluara në Selanik dhe Vjenë mes Ministrave të Jashtëm të Rajonit me Komisionerin Fyle, mbi forcimin e bashkëpunimit mes vetë vendeve të rajonit, të përfshira në Procesin e Stabilizim Asociimit, dhe Bashkimit Europian.

Gjatë takimit u diskutua propozimi i Komisionit Europian për një mekanizëm informal dhe operacional bashkëpunimi rajonal, i cili të ketë si fokus arritjen e përmbushjes më të shpejtë të “acquis communautaire” në vendet e rajonit. Ky mekanizëm do të krijojë mundësinë për shfrytëzimin e fondeve të Bashkimit Europian, në funksion të konkretizimit të projekteve të përbashkëta me përmasa rajonale.

Ministri Bushati, pasi nënvizoi nevojën e forcimit të ndërveprimit rajonal nëpërmjet projekteve konkrete, insistoi mbi rëndësinë e gjithë përfshirjes së mekanizmit të ri të propozuar nga Komisioni Europian, si dhe mbi shmangien e dublimit dhe të mbivendosjes me nismat e tjera rajonale.

Bashkëbiseduesit ranë dakord mbi parimin e rotacionit të kësaj nisme informale në mënyrë që të gjitha vendet pjesëmarrëse të kenë mundësinë e barabartë në dhënien e kontributit dhe marrjen e përgjegjësive në kontekstin rajonal./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit