
Brindizi, 10 korrik 2014 – Policia italiane ka arrestuar një shqiptar dhe ka sekuestruar 58 kg marihuanë. Shqiptari sapo kishte mbërritur në Itali me anë të një trageti që vinte nga Greqia, dhe ndodhej në makinë bashkë me dy vajzat e tij të mitura, 14 dhe 16 vjeçe.
Droga ishte e vendosur në 63 pako dhe ishte mbuluar me pluhur kafeje për të shmangur nuhatjen e qenve.
Gjatë inspektimit të makinës, shtetasi shqiptar që ishte në drejtim të makinës i identifikuar me inicialet B.P, 42 vjeç ka deklaruar se kishte mbërritur në Itali për të kaluar disa ditë pushime me vajzat e tij.
Por pavarësisht kësaj, “portreti familjar” i 42-vjeçarit shqiptar nuk i ka bindur financierët të cilët kanë urdhëruar verifikimin me anë të qenve nuhatës, të cilët edhe zbuluan ngarkesën e marihuanës.
Sipas autoriteteve italiane, nëse droga do të kishte dalë në treg, do të sillte rreth 600 mijë euro fitime. Shtetasi shqiptar është vënë në pranga me akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, ndërsa vajzat i janë besuar disa familjarëve të afërm që jetonin në Itali, në pritje për t’u kthyer në Shqipëri tek e ëma.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





