
Tiranë, 9 korrik 2014, NOA.al- Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ka pritur në takim Komandantin Suprem të Forcave Aleate për Europën, gjeneralin Philip Breedlove.
Pasi kanë diskutuar për zhvillimet e fundit dhe tensionimin e situatës në Ukrainë dhe në Irak, Kodheli ka bërë me dije qëndrimin e vendit tonë për të kontribuar me oficerë shtabi si pjesë e masave siguruese në kuadrin e Aleancës.
Ministrja ka njohur Breedlove me prioritetet e Ministrisë së Mbrojtjes, ecurinë e procesit të reformimit ne fushën e mbrojtjes, bashkëpunimin rajonal.
“Shqipëria si një vend anëtar i NATO-s është gati të luajë një rol më të madh në rajon pasi ne besojmë se përmes bashkëpunimit mundësohet stabiliteti politik, siguria dhe prosperiteti ekonomik. Kur flasim për sigurinë në rajon, nuk mund të lëmë pa përmendur kontributin e Kosovës, që edhe pse një shtet i ri, ka bërë progres të admirueshëm në fushën e reformave dhe nën udhëzimet e NATO-s kanë arritur zhvillimin e Forcave të Sigurisë që së fundmi arritën edhe kapacitete të plota operacionale, gjë e cila i inkurajon për rritjen e përpjekjeve në rrugën drejt partneritetit në NATO”, ka thënë Kodheli.
Gjenerali Breedlove është shprehur se ashtu si Shqipëria ka filluar hapat e para në rrugën drejt Bashkimit Europian, ndryshime të rëndësishme janë duke ndodhur në mjedisin e sigurisë.
“Këto ndryshime e kanë shtyrë NATO-n të shikojë me vëmendje mënyrën se si kemi vepruar gjatë 20 viteve të fundit. Dhe këto janë kohë kur ne u kërkojmë anëtarëve tanë që të demonstrojnë unitet dhe t’i qëndrojnë premtimit për mbrojtje kolektive, i cili përbën gurin e themelit të Aleancës sonë”, tha Breedlove.
Sipas tij, Shqipëria ka luajtur një rol të rëndësishëm në Aleancë duke kontribuar në stabilitetin e fituar me mund në Kosovë, por edhe duke kontribuar me trupa në Afganistan ku është bërë një progres i madh. /a.s/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





