Transmetuar më 09-07-2014, 15:26

Një disfatë në përmasat e katastrofës, dhe një vend i tërë që shpërtheu në lot teksa shikonte kombëtaren të nëpërkëmbej nga miqtë e ardhur nga Europa.

Luiz Felipe Scolari i vrerosur, në konferencën për shtyp, pranoi se është ai dhe vetëm ai përgjegjësi për atë dush të akullt, që Brazili mori nga Gjermania në Estadio Mineirao. Pavarësisht autokritikës, trajneri i Selecaos e bëri të qartë se nuk ka ndërmend të dorëhiqet, por do të vazhdojë projektin e nisur drejt Botërorit tjetër, Rusi 2018.

“Gjermanët kishin aftësinë për të shënuar në mënyrë fantastike 4 gola brenda 6 minutash, ndërsa ne u stakuam që në golin e parë.

Nuk kishim opsione për të reaguar. Kërkoj falje për rezultatin. Nuk arritëm dot deri në finale, por do të vazhdojmë të punojmë për vendin e tretë.

E vlerësoj mbështetjen e të gjithë tifozëve, të cilët vazhduan t’i jepnin zemër skuadrës, edhe pse po humbisnim me 5 apo 6 gola të pësuar”.

Mungesa e Neymar nuk mund të jetë një justifikim për këtë humbje, të cilën Scolari e cilësoi më të turpshmen në historinë e Brazilit, dhe një ditë të zezë në jetën e tij.

“Neymar është vetëm njëri nga skuadra, por ai është sulmues dhe nuk besoj se do të na kishte ndihmuar në mbrojtje.

Nuk ka arsye për të menduar se gjërat do të ishin ndryshe me Neymar në fushë. Le të përpiqemi të mos gjejmë justifikime të tilla. Gjermania na u imponua dhe në pak minuta vendosi gjithçka. Kaq”.

Nuk pranoi të flitet për një fund cikli, trajneri i brazilianëve, teksa theksoi se ky poshtërim nga gjermanët do të analizohet mirë para ndeshjes për vendin e tretë.

“Ky grup po ecën drejt Botërorit 2018. Nga 23 lojtarë, besoj se 14 apo 15 do të jenë në Rusi.

Eshtë një humbje e shëmtuar, e tmerrshme, por jemi në drejtimin e duhur për të ardhmen. Deri të shtunën do të shikojmë se çfarë mund të përmirësojmë. Jeta vazhdon”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit