Transmetuar më 09-07-2014, 13:52

Tiranë, 9 korrik 2014, NOA.al- Partia Socialiste nëpërmjet deputetit Blendi Klosi, ka deklaruar se grupi parlamentar socialist është skandalizuar nga vendimmarrja e njëpasnjëshme e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që arriti kulmin ditën e hënë kur ndaj gjyqtarëve me probleme flagrante në deklarimin e pasurisë, vendosi të mos merrte asnjë masë e të mos fillonte asnjë hetim.

“Akoma më i turpshëm ishte reagimi i KLD pas deklaratës së Ministrit të Drejtësisë. Një reagim që përforcoi edhe njëherë akuzën tonë se sistemi i drejtësisë po kthehet çdo ditë e më shumë në një rrjet ku bëjnë pjesë gjyqtarë kryekëput të korruptuar, që nuk punojnë për të vendosur drejtësi, por punojnë vetëm e vetëm për tu pasuruar vetë në kurriz të shqiptarëve. Një rrjet gjyqtarësh të korruptuar që po kthehen në një sekt, që bëjnë gjithçka për të mbrojtur e shpëtuar njëri-tjetrin nga zullumet korruptive ku janë zhytur. Që sistemi i drejtësisë në Shqipëri nuk funksionon, këtë e di sot i madh e i vogël. Ishte kjo arsyeja pse një vit më parë shqiptarët votuan Koalicionin për Shqipërinë Europiane. Është kjo arsyeja pse kjo mazhorancë është e vendosur që drejtësia në Shqipëri të vihet në lëvizje dhe shumë shpejt shqiptarëve tu kthehet besimi tek drejtësia”, deklaroi Klosi.

Ai tha se Partia Socialiste mbështet deklaratën e djeshme të Ministrit të Drejtësisë dhe të Qeverisë Shqiptare për të kërkuar ndërhyrjen e Parlamentit.

Sipas tij përfaqësuesit e popullit kanë detyrimin ligjor dhe moral të shprehen dhe të distancohen nga ata përfaqësues në Këshillin e Lartë të Drejtësisë që janë zgjedhur aty nga Parlamenti për të përfaqësuar Parlamentin, por që çdo ditë e më shumë po bëhen palë me korrupsionin dhe me të korruptuarit./a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit