
Peqin, 9 korrik 2014, NOA.al- Konflikti për një parakalim të ndodhur gjatë ditës, ka bërë që një 39 vjeçar nga Peqini ta mbajë inatin gjatë.
Roberto Tabaku me banim në fshatin Shezë të Peqinit është arrestuar nga policia, pasi po në këtë fshat në gjendje të dehur, ka kanosur me sende të forta si dhe e ka ndjekur me qëllim për ta shtypur me mjetin e tij tip Fiat- Punto me targa AA 472 GP, të cilin e drejtonte pa leje drejtimi, një banor të këtij fshati me iniciale E.T.
Në tentativë për ta shtypur, Tabaku ka dalë nga rruga, por pa pësuar dëmtime në trup.
Burime zyrtare nga policia i thanë NOA.al, se konflikti mes 39 vjeçarit dhe personit të vënë në shënjestër, kishte ndodhur pas një parakalimi që ky i fundit kishte bërë me makinë.
Gjatë mbrëmjes së djeshme Tabaku e ka ndeshur në rrugë E.T., e ka ndjekur dhe ka tentuar që ta përplasë me makinë.
Ndërkohë gjatë shoqërimit për në komisariatin e policisë Peqin, ai ka kundërshtuar edhe punonjësit e policisë.
Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprat penale “Drejtim mjeti pa leje drejtimi, kanosje, kundërshtim i punonjësit të rendit publik”./k.k/a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





