Transmetuar më 09-07-2014, 11:59

Tiranë, 9 korrik 2014, NOA.al-Në Gjykatën e Krimeve të Rënda, janë transmetuar pamjet filmike të momentit të ekzekutimit të kryekomisar Dritan Lamaj.

Gjatë seancës gjyqësore të paradites së sotme, në ngarkim të biznesmenit Arben Frroku, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e Lamaj janë transmetuar pamjet filmike të kamerave në zonën e “Vasil Shantos”, vend ku dhe ndodhi ekzekutimi gjatë muajit janar të vitit 2013.

Pamjet filmike u komentuan nga prokurorët duke rindërtuar ngjarjen dhe duke thënë se nëpërmjet tyre provohet fajësia, gjë që solli edhe acarimin e të pandehurit.

Gjatë seancës gjyqësore Frroku deklaroi se nuk ka asnjë lidhje me vrasjen dhe se po i bëhet një padrejtësi duke e mbajtur në burg.

“Unë kam qenë në përgjim përpara se të kaloja kufirin, këta më kanë përgjuar dhe e dinë çfarë kam folur e ku kam qenë. Unë kam 17 muaj në burg për faj të prokurorit ose të Ministrisë së Brendshme”, është shprehur Frroku gjatë gjyqit, duke hedhur poshtë akuzat.

Prokurori i çështjes është shprehur se" në makinën e Dritan Lamajt është gjetur një USB, ku ishte deklarata e të pandehurit, kjo tregon se kryekomisar Dritan Lamaj kishte shqetësim”.

Dritan Lamaj u ekzekutua me 12 plumba pranë shtëpisë së tij në zonën e “Vasil Shantos” në Tiranë, pak metra larg nga apartamenti ku banonte.

Arben Frroku u arrestua në Selanik të Greqisë 24 orë pas vrasjes së Lamaj dhe pas disa muajsh u ekstradua drejt Shqipërisë./a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit