Transmetuar më 09-07-2014, 06:53

Nga Afrim Krasniqi

Një debat midis një drejtuesi të një institucioni publik që mbahet me taksat tona dhe një gazetareje të të njëjtit institucion ka zënë vend në disa media kryesore. Unë nuk i njoh personalisht asnjërin prej tyre, ndaj e gjej veten spektator në një ngjarje që në thelb përcjell një mesazh trishtues dhe zhgënjyes. Në çdo vend normal është rutinë debati midis njerëzve të të njëjtës fushë, edhe kur hierarkia është e ndryshme.

Rasti shqiptar është tjetër: nisi për debat dhe u kthye në një praktikë abuzive, denigruese dhe poshtëruese për etikën, median, individët e përfshirë dhe standardin minimal të kulturës dhe etikës publike.

Nga media e shkruar kaloi në fraza në Facebook, ndjekur nga “like” dhe komente anonime me shumicë, – më pas u lajmërua se çështja përfundoi në gjykatë dhe pas kësaj, – ajo çfarë mbeti është trishtimi se në çfarë niveli ka degraduar media, kultura dhe etika institucionale në Shqipëri.

Shqipëria është vend kandidat për në BE! Sapo u bënë koncertet e festës! Po më pas? Le ta ilustrojmë me rastin konkret: e imagjinon njeri që në një vend të BE një drejtues i një media publike të tallet, fyejë dhe denigrojë një person tjetër, vartës (nga ana administrative)?

E imagjinon njeri që që në një vend të BE një femre ti flitet me gjuhë vulgare në publik dhe përmes postit publik? E imagjinoni njeri që në një vend të BE komunikimi në nivelin më të lartë institucional mediatik të zhvillohet përmes FB? E imagjinon njeri që në një vend të BE VIP-ët e emëruar nga rastësitë politike në poste publike, dhe që paguhen me taksat tona, të dhurojnë një nivel komunikimi shumë më denigrues sesa gjuha e rrugës?

A ka TVSH dhe ligji mekanizma që garantojnë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, kur krijohen të tilla? A njeh ndonjëri në TVSH konceptin e kontratës, detyrimit publik, transparencës, dhe vetëpërmbajtjes? A kemi ne shoqata gazetarësh që mbrojnë të drejtat e tyre dhe që në raste të tilla jo vetëm investohen, por edhe ndihmojnë në zgjidhjen ligjore/etike të konflikteve qoftë verbale qoftë administrative?

A po mbajmë kështu një sistem baltosjeje publike ndaj kujtdo në parlament, në publik, në media dhe në jetën civile, – sistem që ushqehet dhe mbahet në këmbë si prej atyre që janë larg në piramidën e pushtetit dhe vendimmarrjes, ashtu edhe nga turma anonime nga ata që organizojnë mitingje e garë denigruese në rrjete sociale? Si mundet media të riprodhojë fjalë fyese për një person, madje me logjikën e tifos të futbollit, pa mbajtur një qëndrim refuzues ndaj praktikave të tilla, dhe pa ngritur zërin për degradimin e komunikimit publik në vend?

Dhe se fundi, kjo çështje nuk lidhet me një vajzë gazetare që ankohet në media dhe një drejtor që e trajton institucionin e gazetarët si skllav të tij, – por me imazhin dhe simbolikën se në çfarë gjendje kaotike e kritike ndodhet televizioni i vetëm publik, – drejtuesve të të cilit u ka skaduar mandati përpara një viti; – në çfarë gjendje të mjerueshme ndodhen të drejtat/sjelljet e medias dhe gazetarëve dhe në çfarë niveli minimal të kulturës qytetare e demokratike ndodhet shoqëria e institucionet shqiptare!

Kjo ka rëndësi, kjo mbetet, – të tjerat, përfshirë protagonistët në FB, harrohen pas tre ditësh! Ndaj, pikërisht kjo e bën bilancin e këtij rasti dhe reagimin pa etikë institucionale edhe më shqetësues, një sinjal negativ dhe praktikë që na prek të gjithëve, dhe mbi të gjitha na bën edhe më tej skeptik mbi shpresat dhe shanset e ndryshimit kulturor, civil, qytetar dhe shtetëror, të cilat kanë qenë dhe mbeten kaq jetike për shoqërinë tonë!

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit