Transmetuar më 09-07-2014, 09:41

Tiranë, 9 korrik 2014, NOA.al- Ministri i Drejtësisë Nasip Naço, deklaroi se paaanësia e sistemit gjyqësor është primare dhe reformat duhet ta garantojnë atë.

Deklarata e ministrit vjen në vijim të përplasjeve mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pas rrëzimit të kërkesës për shkarkimin e gjyqtarit Gjin Gjoni.

Gjatë një seminari për inspektimet dhe etikën në gjyqësor, kreu i ministrisë së Drejtësisë tha se po punohet për të garantuar rritjen e transparencës dhe etikës në gjyqësor, duke kthyer besimin te drejtësia.

“Me gjithë arritjet e deritanishme, shpreh bindjen time se nevojitet më shumë punë, përkushtim dhe përgjegjshmëri e lartë profesionale, në reformimin e procesit të kontrollit të gjykatave dhe nxjerrjes përpara ligjit të atyre gjyqtarëve, që kryejnë veprime apo mosveprime në kundërshti me Kushtetutën, ligjin dhe të drejtat e qytetarëve. Ne kemi nisur rrugëtimin tonë drejt reformave të fuqishme të sistemit gjyqësor, e cila do të përbëjë edhe prioritetin e qeverisë shqiptare në 300 ditët e ardhshme. Në këtë kuadër, dëshiroj të ftoj ekspertizën ndërkombëtare për të ofruar asistencën e tyre të vyer, në realizimin e këtyre objektivave, që synojnë ta kthejnë sistemin gjyqësore nga një sistem që punon për interesat e veta, në një sistem që duhet t’i shërbejë gjithë  qytetarëve”, deklaroi Naço.

 Nënkryetari i KLD, Elvis Cefa duke komentuar përplasjet e këtij institucioni me ministrin Nasip Naço, deklaroi se deklaratat dhe sulmi i tij janë të paprecedentë.

“Sulmi i ministrit tregon paaftësinë e theksuar të tij para Këshillit. E prisja një reagim të tillë, pas paaftësisë të theksuar të Ministrit për të provuar ligjërisht pretendimet e tij para Këshillit, sigurisht edhe atij do t’i duhej një justifikim përballë eprorëve të tij. Justifikim më të mirë se sulmi që të gjithë e pamë, sulm i paprecedent në fakt ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe të gjithë sistemit të drejtësisë, i cili u quajt “Sude” nga Ministri i Drejtësisë pa asnjë përjashtim, e vërtetoi më së miri këtë. Ata që janë të paaftë të provojnë sipas ligjit fajësinë dhe përgjegjësinë e dikujt tjetër, për fat të keq kanë aftësinë shumë të mirë që përballë publikut të shpifin pa asnjë lloj skrupulli”, deklaroi Cefa.

Ai tha se ministrit i duhej një deklaratë justifikimi para eprorëve të tij.

Cefa deklaroi se Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur që shqetësimet t’ia bëjë me dije edhe faktorit ndërkombëtar, të cilët kanë investuar miliona euro në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit