

Lisbonë, 8 korrik 2014, NOA.al- Kryetari i Kuvendit Ilir Meta gjatë vizitës së tij në Portugali, u prit në takim nga Presidentja e Asamblesë së Republikës së Portugalisë, Maria da Assunção Esteves.
Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet e mira politike dypalëshe, mbështetja reciproke në nivel ndërkombëtar si dhe mirëkuptimi dhe miqësia që ekziston mes dy vendeve dhe dy popujve.
Meta shprehu mirënjohjen e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme të Portugalisë, në drejtim të anëtarësimit në NATO, liberalizimit të regjimit të vizave të hapësirës Schengen për qytetarët shqiptarë dhe së fundmi për miratimin e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian.
Nga ana e saj, Presidentja e Asamblesë së Portugalisë, e siguroi kryeparlamentarin për mbështetjen portugeze në kuadër të procesit të integrimit europian si dhe për vullnetin maksimal për të forcuar bashkëpunimin parlamentar dypalësh, por edhe në kuadër të platformave rajonale siç është Unioni për Mesdheun.
Esteves u shpreh se Portugalia dhe Shqipëria duhet të bashkëpunojnë më ngushtë në funksion të forcimit të vlerave humane dhe demokratike europiane, duke deklaruar se vizita e kryeparlamentarit në Lisbonë është një shtysë për intensifikimin konkret të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Meta vuri në dukje se dy parlamentet kanë një peshë të veçantë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke nënvizuar se rritja e bashkëpunimit politik dhe ekonomik mes dy vendeve i shërben jo vetëm stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit të Ballkanit, por edhe progresit social dhe ekonomik të pellgut mesdhetar. Në këtë kuadër, u vlerësua edhe roli konstruktiv dhe pozitiv i Shqipërisë në rajon, veçanërisht në drejtim të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
Meta vlerësoi gjithashtu edhe mbështetjen që Portugalia i jep Kosovës, duke nënvizuar se ky është një kontribut i vyer për paqen dhe progresin e rajonit të Ballkanit.
Dy homologët diskutuan më tej mbi zhvillimet e fundit në Bashkimin Europian dhe në rajonet fqinje të Unionit, duke vënë në dukje se përhapja dhe konsolidimi i vlerave humane e demokratike europiane, i shërbejnë rritjes së sigurisë dhe stabilitetit të të gjithë kontinentit.
Esteves e ftoi kreun e Kuvendit për një vizitë në ekspozitën e 40-vjetorit të revolucionit portugez në ambientet e Parlamentit si dhe për një përshëndetje zyrtare në seance plenare nga deputetët portugezë për nder të delegacionit shqiptar./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





