Transmetuar më 09-07-2014, 06:48

Pagesa e masave administrative me gjobë në masë të reduktuar prej 20%.

Ndryshimi në Kodin Rrugor

Pas miratimit në Parlament dhe botimit në Fletoren Zyrtare, kanë hyrë në fuqi dhe aplikohen ndryshimet në ligjin nr.8378, datë 22.07.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë“ me ligjin nr.10 488, datë 05.12.2011 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8378, datë 22.07.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë“, i ndryshuar, i cili në nenin 203, pika 2 thotë :

2. Në të gjitha raste e parashikuara me gjobë, nëse arkëtimi i i vlerës së gjobës nga kundërvajtësi bëhet brenda 5 ditëve nga dita që vendimi ka marrë formë të prerë, gjoba ulet me 20% të vlerës.

Kush përfiton nga ulja e masës së gjobës.

Kundërvajtësi, pronari i mjetit ose kushdo që mund të jetë solidar me drejtuesin e mjetit, mund të paguajë shumën e vlerës së masës administrative me gjobë të ulur në masën 20% nga ajo e vendosur në procesverbalin e konstatimit të shkeljes.

Kur mund të përfitohet nga pakësimi prej 20%

Kundërvajtësi, pronari i mjetit ose kushdo që mund të jetë solidar me drejtuesin e mjetit, përfiton nga ulja prej 20% e masës administrative me gjobë kur ai paguan brenda 5 ditëve nga dita e vendosjes së gjobës, e cila është parashikuar si një ndëshkim për shkeljen e legjislacionit rrugor.

Për cilat shkelje mund të zbatohet ky pakësim

Pakësimi prej 20% zbatohet në shumicën e shkeljeve të parashikuara nga Kodi Rrugor, për të cilat nuk është parashikuar edhe një masë administrative plotësuese.

Ulja e shumës për të paguar nga vlera e gjobës nuk zbatohet në rastet:

-për shkeljet e natyrës penale (psh, drejtimi i mjetit në gjendje të dehur, pa pajisur me lejedrejtimi, etj.);

-për shkeljet për të cilat është parashikuar masa administrative plotësuese e konfiskimit të mjetit;

-për shkeljen e parashikuar për mungesën e kontratës së sigurimit;

-për shkeljet e për të cilat është parashikuar masa administrative plotësuese e pezullimit të lejedrejtimit.

Ku mund të kryhet pagesa e gjobës

Pagesa e masës administrative me gjobë mund të bëhet në të gjitha sportelet e Postës Shqiptare sh.a. ose të operatorëve të tjerë financiarë që kanë lidhur marrëveshjen përkatëse me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Llogaritja e afateve

Dita pas ditës së pestë nga dita e vendosjes humbet e drejta për të paguar gjobën me 20% të uljes së vlerës së saj, por nëse kjo ditë bie në ditë feste kombëtare, ose ditë pushimi, ajo shtyhet për aq ditë deri në ditën më të parë të punës.

Pakësimi i masës së vlerës së gjobës për të paguar shërben për të mos rënduar ngarkesën financiare të shkelësve të legjislacionit rrugor, si dhe rritjen e rolit parandalues dhe edukativ të këtyre ndëshkimeve ndaj tyre.

Pas pagesës së gjobës realizohet on line në kohë reale çrregjistrimi si debitor i kundërvajtësit në sistemin e-gjoba të Policisë së Shtetit dhe shtetasi nuk ka pengesa për qarkullimin e tij me mjetin mbi të cilin ishte shënuar gjoba.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit