
Përderisa interneti ua mundëson fëmijëve lirinë për të krijuar shoqëri, të luajnë lojëra dhe te kryejnë detyra shtëpie duke shtypur vetëm një buton, mund të sjellë edhe rrezik potencial nga piratët online që të realizojnë qëllimet e tyre të fëlliqura karshi fëmijëve tuaj.
Fëmija juaj mund të rrezikohet fizikisht, nga ai apo ajo, me të cilin ka kontaktuar online dhe më vonë takohet me të “live”.
Shumica e prindërve mendojnë “kjo kurrë nuk mund t’i ndodhë fëmijës tim”, por kjo nuk është e vërtetë pasi, në botën në të cilën jetojmë, sot viktimizohen shumë djem dhe vajza.
Prindërit duhet të ndërmarrin masa parandaluese. Pavarësisht pse nuk ka zgjidhje të lehta, disa masa mund ta zvogëlojnë dukshëm rrezikun që fëmija juaj të bëhet viktimë.
Gjëja më e mençur dhe më e duhur është që të fillohet sa më herët. Mosha e fëmijëve që punojnë sot online, është gjithmonë e më e re. Sa më herët që ju të filloni me masa parandaluese, është më mirë, duke folur për këto fenomene me ta, në mënyrë që kjo të ingranohet me rritjen e tyre.
Gjëja e parë që duhet bërë është që, vetë prindërit, të mësohen më shumë me punën e kompjuterit dhe ta analizojnë faqet e internetit në të cilat lundrojnë fëmijët e tyre. Le të marrim si shembull aplikacionet apo programet e komunikimit online siç janë MSN MESSENGER, WhatssApp, Viber, etj. Prindërit duhet të mësojnë zhargonet e fjalëve kyçe me nënkuptime që mund të përdorin fëmijët siç mund të jenë: MEKA që simbolizon "mamin e kam afër" ose HTTP që mund të nënkupton “hajde të takohemi poshtë”.
Këshilla e parë që s’duhet ta harroni kurrë: Mos i lejoni fëmijës që të ketë kompjuter në dhomën e fjetjes. Sipas ekspertëve të internetit, kjo është njëlloj si t’ia jepni fëmijën tuaj një të huaji dhe ju të largoheni nga aty.
Përkundrazi, kompjuteri duhet të jetë në atë pjesë të shtëpisë ku frekuentohet më së shumti, si dhoma e ndejës apo edhe kuzhina. Monitoroni se çfarë është duke shikuar fëmija juaj në internet, sa herë kaloni pranë tij.
Kamerat e web, ku pothuajse të gjithë kemi në shtëpitë tona, vlerësohen nga ekspertët si pajisjet më të shpeshta të cilat, piratët, i përdorin për ta nxitur gjininë e kundërt për aktivitet seksual.
Gjëja tjetër e radhës që duhet bërë është që të caktoni disa rregulla për përdorimin e internetit. Shkruani këto rregulla dhe vendosni një kopje të saj afër internetit që fëmija juaj të mund t’i referohet, përderisa shëtit nëpër rrjetin e internetit.
Kontrollet e prindërve
Më shumë se gjysma e familjeve amerikane, përdorin filtra të caktuar të cilët ndalojnë hyrjet në përmbajtjet, potencialisht të dëmshme për fëmijë. Prindërit duhet të mësojnë çfarë janë, çfarë mund të bëjnë e çfarë jo dhe si funksionojnë ato.
Ato janë shumë efektive në limitimin e kohës së shpenzuar online, faqet të cilët fëmijët nuk mund të vizitojnë dhe çfarë lloj komunikimi mund të bëjnë, edhe pse ato ka gjasa që të filtrojnë/bllokojnë edhe faqet që mund të kërkojnë për detyra të shkollës.
Prindërit, gjithashtu, mund të përdorin softuerë mbikëqyrës për të kuptuar çdo veprim të fëmijëve të tyre, qoftë dhe një germë e shtypur në tastierë. Megjithatë, sugjerohet dhe këshillohet që ju të flisni me fëmijët tuaj para se ta instaloni këtë lloj softueri.
Duhet të siguroheni që ata ta kuptojnë që ka një shkak pse janë duke u mbikëqyrur dhe se këtë gjë jeni duke e bërë për t’i mbrojtur ata nga ndonjë gjë e keqe që mund ti ndodhë.
Krijoni një marrëdhënie të besueshme me fëmijën tuaj kështu që, në rast të ndonjë problemi që mund ta ketë online, ai ta ndiejë veten të lirë t’ju drejtohet juve për ndihmë. Mos u nervozoni me atë çfarë do t’ju tregojë apo shfaq, sepse mund të mos vije fare herën tjetër kur të hasë në ndonjë gjë të diskutueshme.
Rrjetet Sociale
A e keni kërkuar ndonjëherë në “Google” emrin e fëmijës suaj?
Ky është një indikator i mirë për të marrë vesh, si për prindërit edhe fëmijën, se çfarë informatash personale mund të ketë në internet.
Nëse fëmija juaj është pjesë e një rrjete shoqërore, siç është p.sh Facebook apo Twitter, sugjerohet që profili i tij/saj të jetë i regjistruar si "private". Flisni, mësoni ata për mënyrat më të mira të përdorimit të teknologjisë dhe si të përdorin atë, sa më pak, për çështje personale.
Lexoni rregulloret e intimitetit në secilën faqe në të cilën hulumton fëmija juaj.
Nëse fëmija juaj është futur në lojërat online, të cilat sot janë të panumërta edhe në gjuhën tonë, shikoni saktësisht çfarë ndodhë në këto lojëra dhe, nëse diçka ndodhë, do ta mund të kuptoni kontekstin dhe prej ku ka ardhur.
Mbikëqyrni çdo lloj aktiviteti që mund t’i vendosë ata në kontakt me dikë që e njihni apo nuk e njihni.
Këto janë disa udhëzime, por jo të vetmet me të cilat, fëmijët tuaj do të kënaqen me internetin dhe të gjitha të mirat që ai mund t’ua ofrojë, pa e pësuar nga anët e këqija të kësaj shpikjeje teknologjike.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





