
Dëshira e madhe e Leo Messit është një përballje klasike me Brazilin në finalen e Maracanas, por argjentinasi duhet të ketë parasysh se për të mbërritur deri aty është një mur i madh portokalli, që duhet kaluar.
Te Holanda nuk ia kanë aspak frikën, madje e injorojnë yllin argjentinas. E thotë këtë Arjen Robben, i cili në kor mbështetet edhe nga të tjerët.
“Kanë një lojtar të jashtëzakonshëm, sigurisht, por kjo nuk do të thotë se gjithçka vërtitet rreth Messit”.
Nga ana tjetër, mbrojtësi Stefan de Vrij, bëri të qartë se në asnjë moment nuk do të ndihet në panik nga prania e asit argjentinas në fushë, autor i katër golave në këtë Botëror. Holandezi theksoi se jo vetëm nga Messi, por nga askush tjetër nuk trembet.
Në të njëjtën linjë qëndron edhe Bruno Martins Indi.
Për mbrojtësin 22-vjeçar, Argjentina është e fortë si një skuadër e tërë, prandaj nuk mund të veçohet një lojtar i vetëm, qoftë ky edhe i tmerrshmi Lionel Messi.
Në historinë e tyre në Kupat e Botës, holandezët kanë humbur tre finale, më shumë se kushdo tjetër, ndërkohë që kombëtarja Albiceleste, dy herë kampione e botës, kërkon titullin e tretë dhe ku ka më mirë se një kurorëzim në Maracana, në oborrin e rivalëve të përjetshëm.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





