
Ka nisur dalja në publik e problemeve në zgjedhjet e reja të Partisë Demokratike. Pas një sërë pakënaqësish të vërejtura në Korçë, Elbasan dhe më gjerë, por gjithsesi duke mbetur jashtë vëmendjes së medias, është Gjirokastra ajo që nxjerr në pah problematikën dhe kërkon deri anulim të procesit zgjedhor që e quan të manipuluar.
Kandidati për kryetar të PD në Gjirokaster, Shemsho Lamaj, publikoi sot një ankesë drejtuar kryetarit të Partise Demokratike Lulzim Basha për problemet që janë shfaqur në kuvendin e PD Gjirokastër.
Z.Lamaj i ka bashkëngjitur ankesës, edhe kërkesën që anëtarët e zgjedhur të Kryesisë së PD Gjirokastër i kanë dërguar zotit Lulzim Basha për anulimin e zgjedhjeve për kryetar të PD Gjirokastër.
Ashtu siç ndodhi në zgjedhjet për kreun qendror të PD, ku i ndjeri Sokol Olldashi, rival i Bashës, u ankua për listat, edhe në rastin e Gjirokastrës, konsiderohen problem parësor. “Listat e delegatëve të miratuara nga Kryesitë e LDG dhe FRPD, u anuluan një orë para konferencës, në mënyrë arbitrare nga të deleguar anonimë nga Kryesia e PDSH dhe u paraqitën lista të tjera”.
Në ankesën që gjeni më poshtë të plotë, thuhet ndër të tjera se nuk u zbatuan as procedurat më elementare të procesit të votimit në zgjedhjet e PD në Gjirokastër.
Ndaj Kryesia e PD kërkon sikundër gjeni më poshtë kërkesën e plotë në PDF, që të anulohen zgjedhjet e reja.
Pas zgjedhjeve erdhën dorëheqjet
Një ditë pas zgjedhjes së kreut të PD-së në Gjirokastër kanë ardhur përplasjet dhe kanë dhënë dorëheqjen kryetarja e Forumit të Gruas të PD, Alie Kokalari, njëkohësisht edhe sekretare e PD në Gjirokastër; si dhe Buljana Karagjozi, kryetarja e FRPD.
Përplasjet erdhën nën dyshimet se procesi i votimit në zgjedhjet e djeshme në Gjirokastër për kreun e ri të PD, ishin të manipuluara.
Kryetarja e Forumit të Gruas të PD, Alie Kokalari, tha se jepte dorëheqjen si pasojë e presioneve që kishte marrë gjatë zgjedhjeve për kreun e ri të PD në Gjirokastër.
“Kam pasur presione nga delegatë dhe anëtare kryesie. Kam pasur ofendime që janë të padurueshme. Ishin ofendime në adresën time dhe familjes sime. Falënderoj anëtarët që më kishin votuar”, tha Kokalari.
Në zgjedhjet e mbajtura dje në Gjirokastër, u zgjodh kryetar i ri i PD për këtë rreth Roland Bejko, nipi i kreut të komunës Lazarat, Dasho Aliko. Në garën për kreun e PD Gjirokastër garonin 4 kandidatë, ndërs Bejko fitoi me 8 vota diferencë ndaj kandidatit Shemsho Lamaj.
***
Probleme të vazhdueshme ka pasur javët e fundit në procesin zgjedhor, sa i përket votimit dhe emrave që kandidonin. Në Korçë, shumë njerëz të njohur afër PD, shprehën hapur zhgënjim. Kjo ndodhi edhe në Elbasan pak ditë më parë.
Anëtarësia e PD priste që të zbatohej urdhri i Bashës që të kandidojnë vetëm emra të rinj, por ndodhi e kundërta. Disa anëtarë të zhgënjyer, deklaruan hapur në rrjete sociale se hiqnin dorë nga aktivizimi në Partinë Demokratike. /a.c/noa.al/
PDF/Ankesa e plotë
PDF/Kërkesa për anulim të zgjedhjeve
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





