

Tiranë, 8 korrik 2014, NOA.al- Prej disa ditësh atyre iu është ndaluar udhëtimi falas në autobusët e qytetit. Ka qenë pikërisht kjo arsyeja që anëtarët e Shoqatës Kombëtare të Invalidëve të Punës të dalin në protestë gjatë ditës së sotme, para Bashkisë së Tiranës.
Përfaqësuesi i kësaj shoqate, Abdulla Omuri, u shpreh se invalidët po zbriten me forcë nga autobusët. “Deri më tani janë bërë 5 denoncime për dhunë të ushtruat nga faturinot. Bashkia është ajo që përcakton kriteret dhe lidh licencat. Marrëveshja në këtë rast u shkel nga Shoqata e Transporteve. Deri më tani, vetëm linja Kamëz-Tiranë vijon të zbatojë marrëveshjen”, është shprehur Omuri.
Ai ka shtuar më tej se nga kjo situatë preken 22 mijë persona invalidë. Përfaqësuesi i Shoqatës Kombëtare të Invalidëve të Punës ka bërë me dije se protestat do të vijojnë edhe para Ministrisë së Transporteve.
Bashkia: Qeveria të zgjidhë situatën
Pas protestës së invalidëve të punës, ka reaguar Bashkia e Tirnaës, sipas së cilës, zgjidhjen e kësaj situate duhet ta japë qeveria
“Invalidët po keqpërdoren politikisht. Ministri i Mirëqenies Sociale pranoi vetë përgjegjësinë për invalidët. Shoqata e invalidëve duhet të kërkojë përgjegjësit. Qeveria t’i japë zgjidhje situatës së krijuar”, thuhet në reagimin e Bashkisë./a.s/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





