Transmetuar më 07-07-2014, 17:52

Edhe pse bëri historinë duke e kualifikuar për herë të parë përtej fazës së grupeve në një Kupë Bote, Algjerinë, Vahid Halilhodzic nuk do të jetë më trajneri i përfaqësueses afrikane.

Me përfundimin e aventurës së Algjerisë në Brazil 2014 skadoi edhe kontrata e boshnjakut me kombëtaren afrikano-veriore, dhe Halilhodzic pavarësisht këmbënguljes nga ana e drejtuesve të federatës për të qëndruar në stolin e përfaqësueses, vendosi të mos e rinovojë kontratën e tij me Algjerinë.

Menjëherë pas zyrtarizimit të largimit, 61-vjeçari nga Bosnje Hercegovina dha një intervistë për mediat ku shpjegoi edhe arsyet e lamtumirës.

“Jam shumë i lumtur për atë që arrita në krye të Algjerisë. Këtu kalova tre vite fantastike dhe vendimi për t’u larguar ishte një zgjedhje shumë e vështirë për mua.

Megjithatë në këtë vendim timin kishte të bënte familja, pas tre vjetësh në Algjeri mendoj se ka ardhur koha të qëndroj pranë tyre.

Dua të falënderoj futbollistët, tifozët, por edhe Presidentin e Federatës Algjeriane të Futbollit, Abdelaziz Bouteflika, i cili më ka përkrahur gjithmonë”.

Por edhe pse vendosi të largohej nga stoli i Algjerisë, Vahid Halilhodzic nuk do të qëndrojë shumë kohë pa punë, pasi në ditët e ardhshme boshnjaku pritet të marrë drejtimin e klubit turk Trabzonspor.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit