Transmetuar më 07-07-2014, 16:50

Tiranë, 7 korrik 2014, NOA.al – Një pedagog është arrestuar në Universitetin Bujqësor të Kamzës, pasi u kërkonte shuma të konsiderueshme parash studentëve, në këmbim të notave kaluese apo të kënaqshme.

Në pranga ka rënë 39 vjeçari Alfred Fitim Çaushi, i lindur në Gjirokastër dhe banues në Tiranë. Gjatë arrestimit nga Strukturat Kundër Korrupsionit në Policinë e kryeqytetit, në kuadër të operacionit të koduar “Profesori”, të sipërpërmendurit iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale një shumë parash që dyshohet se është përfituar në mënyrë të paligjshme.

Burime të agjencisë NOA.al bëjnë të ditur se pedagogu u kërkonte studentëve shumën prej 100 euro (140 mijë lekë të vjetra) në këmbim të kalimit të vitit shkollor. Sipas dy studentëve që kanë bërë denoncimin, ata nuk do të mund të  kalonin as në sezonin e vjeshtës nëse nuk paguanin shumën.

Mësohet se pedagogu i anglishtes shprehej përpara auditorit se kishte shpenzime për të mbërritur deri në Universitetin e Kamzës si dhe për t’ju dhënë mësim atyre, ndaj si shpërblim meritonte shumat e caktuara nga vetë ai. Në momentin e arrestimit në flagrancë, 39 vjeçarit Çaushi i janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 140 mijë lekë të vjetra./k.k/a.s/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit