
Trajneri i Gjermanisë Joakim Low, e ka të qartë që në gjysmëfinalen e Belo Horizontes formacioni i tij nuk do të ketë përballë një Brazil spektakolar, por një kundërshtar të ashpër dhe të fortë që do të dalë jashtë traditës së tij.
"Brazili nuk luan futbollin e tij tradicional, me atë stil artistik që të gjithë e njohim. Sigurisht që Selecao ka në përbërje lojtarë teknikë, por sot luajnë një futboll më fizik dhe më të fortë. Kërkojnë ta shkatërrojnë sulmin e kundërshtarëve dhe nga ky moment të ndërtojnë.”
Tema e arbitrave është ajo që e shqetëson më shumë 54-vjeçarin. "E kam ndjekur me kujdes takimin Brazil – Kolumbi dhe pashë që kishte ndërhyrje të ashpra nga të dy ekipet.
Kishte faulle për të shkatërruar lojën dhe jo dyluftime për të fituar topin. Thjesht synohej të ndërpritej loja. Shpresoj që në gjysmëfinale gjyqtari të jetë më i ashpër duke marrë masat përkatëse.
Duke komentuar mungesën e Neymar, Low kujtoi se mund të jetë edhe më keq për Gjermaninë.
"Mendoj se Brazili do të jetë më i vështirë për t’u mundur pa Neymar. Pa dyshim që ai është një lojtar me talent të jashtëzakonshëm, por para kësaj fatkeqësie, shokët e tij të skuadrës do të jenë më të bashkuar.”
Ndërsa për mungesën e një stili të qartë loje në skuadrën e tij, Low shtoi:
"Asnjë skuadër nuk po zhvillon një lojë spektakolare në këtë botëror, të gjithë po luajnë fort fizikisht për të shkatërruar lojën e kundërshtarit. Asnjë ekip nuk do të mund ta fitojë botërorin duke menduar për lojën e mirë. ‘
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





